Ekstradimi i Seitajt, Manjani: Është krim, jo gabim!

Ish-ministri i Drejtësisëm Ylli Manjani në përgjigje të deputetes Vasilika Hysi, thotë se ekstradimi i Seitit është krim, dhe jo gabim siç ka thënë ajo.
Në një status në FB, Manjani thotë se edhe ministri i Brendshëm pranoi se la në baltë ministren e Drejtësisë, kur tha se “nuk do ta kishte firmosur një ekstradim të tillë”.
Zonja Vasilika Hysi, profesore e së drejtës dhe deputete e Kuvendit, sugjeron se… “ekstradimi i Seitajt, mund të jetë një gabim”!
Më vjen mirë që të paktën e pranojnë që ky ekstradim u bë në shkelje të ligjit shqiptar! Këtë gjë pak a shumë pranoi edhe ministri i Brendshëm, kur “la në baltë” kolegen e tij ministre të Drejtësisë, duke pranuar se “nuk do ta kishte firmosur një ekstradim të tillë”.
Ndërkohë reagimi i vetë ministres dhe më herët i Prokurores së Përgjithshme është krejt tjetër gjë. Asnjëra nuk tregoi ndonjë shenjë pendese, aq më pak ndonjë gjest ndjese! Të dyja me arrogancë mbrojnë pozicionet e tyre absurde në shkelje të ligjit!
E përsëris: sipas ligjit tonë askush nuk mund të ekstradohet në një shtet tjetër, nëse ndaj tij ka një çështje penale të hapur në Shqipëri!
Kjo kërkesë ligjit e vendosur në kontekstin e përgjegjësive ligjore që kanë, kur nuk zbatohet bën përgjegjës direkt: ministrin e Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm!
Kjo është përgjegjësi me faj dhe jo gabim njerëzor, siç mundohet ta shesë zonja Hysi!
Është e gjitha një veprimtari shtetërore e kryer me faj të rëndë dhe në bashkëpunim!
Prokurori i Krimeve të Rënda, në vend të bëjë deklarata publike, duhet të hetojë me përparësi: Prokuroren e Përgjithshme, ministren e Drejtësisë, drejtoritë e Marrëdhenieve Juridiksionale në të dyja institucionet, zyrën e Interpolit, drejtuesit e Burgjeve dhe grupin e gjykatësve dhe prokurorëve që kanë kryer procedurën e ekstradimit!
Të gjithë këto zyrtarë me në krye ministren dhe Prokuroren e Përgjithshme kishin për detyrë të dinin statusin ligjor dhe ta mbanin këtu të pandehurin!
Kjo është çështje tipike për Krimet e Rënda! Jo për Prokurorinë e Durrësit!
Subjektet që duhen hetuar janë për në burg e jo për plazh!
Ky nuk është gabim, por krim! I rëndë madje!