Dosja “Xibraka” e vëlla Olsit në takimin mes Merkel dhe Ramës

Dosja “Xibraka” ka marrë një tjetër kthesë në Gjykatën e Apelit. Kritika të forta për dekonsiprim nga Gjykata, ndërsa në skenë prej kohësh është vëllai i kreut të qeverisë Rama, Olsi Rama. Vetë Prokuroria më shumë se ka hetuar në këtë rast ka bërë lojën e trafikantëve me dosjen.
Gjykata e Apelit i ka dhënë dje një goditje të rëndë punës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit për dosjen “Xibraka”, duke ngritur dyshime të forta për dekonspirimin e operacionit në vitin 2015, i nisur fillimisht nga autoritetet e Gjermanisë.
“Ndërhyrja e policisë më 14.01.2015 ora 15:10 në Xibrakë ka qenë e nxituar dhe jo efektive, pasi në laborator nuk u gjetën materialet me të cilat bëhej ky përpunim dhe as produkti i gatshëm, por vetëm gjurmë të tyre në rroga dhe enë. Ka dyshime se operacioni u dekonspirua, dhe disa drejtues të grupit i shpëtuan arrestimit”, thuhet në vendimin që Gjykata e Apelit ka marrë për dënimin e 9 të arrestuarve.
Në janar të 2015-ës, në krye të Policisë së Shtetit ka qenë Artan Didi, i cili u dorëhoq vetëm pak muaj më pas, kur u zbulua se dy vartës të tij kishin fshehur kërkesën e ardhur nga ‘Interpoli’ për ish-deputetin Mark Frroku. Në këtë periudhë, nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë ka qenë Haki Çako, i cili u shkarkua sot nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm, post që e kishte marrë pas dorëheqjes së Didit. Ky qëndrim i Gjykatës së Apelit i vendos dy ish-drejtorët në një pozicion delikat.
Por goditje nga Gjykata nuk ka marrë vetëm Policia, por edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, konkretisht dy prokurorët e çështjes, Olsi Çela dhe Edvin Kondili. Pasi ngre dyshimet se operacioni është dekonspiruar, Apeli tregon se është i pakënaqur edhe me punën e Prokurorisë, që sipas tij, nuk ka vepruar siç duhet për të vërtetuar akuzën për trafik ndërkombëtar droge për 9 të pandehurit.
Fillimisht Çela dhe Kondili çuan në Gjykatën e Krimeve të Rënda akuzën për “grup të strukturuar kriminal dhe trafik ndërkombëtar droge në bashkëpunim”, por trupi gjykues ndryshoi akuzën, duke i dënuar vetëm për prodhim dhe mbajtje narkotikësh, jo për trafik. Ndryshe nga sa pritej, Prokuroria nuk e apeloi vendimin e Shkallës së Parë, duke harruar “grupin e strukturuar” dhe “trafikun ndërkombëtar të drogës”. Vendimi u dërgua në Apel vetëm nga avokatët e të dënuarve, të cilët përfituan një ulje të dënimit.
Olsi Çela ishte një ndër emrat e përfolur së fundmi për postin e kryeprokurorit të përkohshëm, ndërsa Edvin Kondili ishte prokurori që pushtoi çështjen ndaj Vladimir Gjutës, personi i arrestuar për tritolin te farmacia e babait të Saimir Tahirit, ngjarje që ende sot nuk ka një autor.
Por kjo dosje ka edhe anën politike të saj. Që prej muajit dhjetor, në disa portale kanë filluar të qarkullojnë lajme se “Xibraka” do të rikthehet bujshëm në vitin 2018. Lajmet e lidhin këtë dosje edhe me pretendimet e opozitës se ka informacione të rëndësishme kundër kryeministrit Edi Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilat po i analizon me kujdes.
Emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, po del në skenë tashmë jo vetëm për bandën e Habilajve, por edhe për “Xibrakën”, pasi ai ishte në detyrë kur ky laborator, ndër më të sofistikuarit në Ballkan, ngriti dhe zhvilloi i pashqetësuar aktivitetin e tij, deri në ndërhyrjen e autoriteteve gjermane.
Gjithashtu, opozita shqiptare dhe veçanërisht ish-kryeministri Sali Berisha kanë deklaruar se kryeministri Rama është peng i dosjes “Xibraka”, pasi aty rezulton i përfshirë edhe vëllai i tij, Olsi Rama.
Akuza mori një tjetër dimension, kur rrethi u zgjerua edhe me gazetarë që konfirmojnë me burimet e tyre diçka të tillë. Gazetarja Anduena Llabani deklaroi pak javë më parë në emisionin ‘360 gradë’ se, Olsi Rama është i përfshirë në këtë dosje dhe “Xibraka” është diskutuar gjatë një takimi të kryeministrit Rama me kancelaren gjermane Angela Merkel.
Aktualisht, nuk ka asnjë deklaratë të kryeministrit Rama që të mohojë akuzat që po hidhen mbi vëllain e tij.