Deputeti Shehaj: Pse jam i kërcënuar nga Rama

Deputeti i PD-së, Agron Shehaj, në një intervistë për “Gsh.al”, ka bërë një deklaratë të fortë. Shehaj është shprehur se ndihet i kërcënuar nga lidhjet e krimit me mazhorancën.

Ai shton se Rama mund t’i mbyllë gojën atij duke e akuzuar për evazion fiskal.

Shehaj shton se Kryeministri tashmë ka në dorë të gjitha institucionet dhe apelon për protesta masive.

Pjesë nga intervista:

Ju personalisht ndiheni i kërcënuar?

Shehaj: Absolutisht po. Asgjë nuk e ndalon Ramën të kërkojë të më mbylli gojën duke më akuzuar për evazion fiskal për shembull, apo ndonjë akuzë tjetër që mund të gatuajë. I ka të gjitha nën kontroll nga inspektorët, te shumica parlamentare për të më hequr imunitetin, te kryeprokurorja për të më hetuar dhe gjykatësit për të më dënuar. Prandaj ndarja e pushteteve është elementi themelor i demokracive liberale.

Mos po e bëni shumë të zymtë, po të ishte kaq keq do reagonin ndërkombëtarët?

Shehaj: Nuk flas dot për qëndrimin e ndërkombëtarëve, ata sigurisht kanë një vizion më të gjerë. Por po t’i pyesësh cili është prioriteti midis interesit të Shqipërisë dhe të vendit që ata përfaqësojnë, nuk kam dyshim se do ju thonë që ata janë këtu për të ndjekur interesin e vendeve të tyre në radhë të parë. Unë kam besim dhe jam i bindur që ata njëkohësisht punojnë për të mirën e shqiptarëve, por në disa raste për ta mund të ketë përparësi nevoja për stabilitet në Shqipëri. Personalisht kam shumë besim te ndërkombëtarët dhe si shqiptar jam shumë mirënjohës për çfarë bëjnë, por nuk mund të presim me shumë se ç’duhet nga ndërkombëtarët. Ata mund të na ndihmojnë, por vetëm shqiptarët mund ta bëjnë Shqipërinë.