Çekia mbështet projektet e Bashkisë Kamëz për parandalimin e përmbytjeve

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, priti në një takim ambasadorin e Çekisë, Jaroslav Ludva, i cili garantoi kryebashkiakun për mbështetjen që do t’i japë për situatën e përmbytjeve. Kryebashkiaku Mziu e informoi ambasadorin çek për punën e bërë nga Bashkia në investimet e vazhdueshme në infrastrukturë, sidomos në investime që kanë të bëjnë kryesisht me mbrojtjen ndaj përmbytjeve, sidomos në pika kritike të territorit.
Edhe pse Bashkia ka bërë investime të shumta në këtë drejtim, ku edhe gjatë reshjeve të fundit që shkaktuan përmbytje të mëdha, Bashkia Kamëz në mënyrë emergjente investoi rreth 300-400 milionë lekë të reja për t’i ardhur në ndihmë familjeve që pësuan përmbytje të rënda. Janë dërguar 140 projekte për financim, por qeveria shqiptare nuk ka financuar asnjë prej tyre.
Ambasadori i Republikës çeke siguroi mbështetjen e plotë të financimit të projekteve emergjente që ka Bashkia Kamëz për parandalimin e përmbytjeve në këtë zonë. Gjithashtu në diskutimin e tij kryebashkiaku Mziu e ftoi ambasadorin për të bërë të mundur sjelljen e biznesmenëve çekë në Kamëz për të sjellë pjesë të investimit të tyre, pasi Kamza ka një pozicion gjeografik mjaft të favorshëm për bizneset, duke theksuar se Shqipëria është një vend mjaft tërheqës për turistët, sidomos ata çekë që çdo vit e më tepër janë të pranishëm në vendin tonë.
Kryebashkiaku Mziu e nderoi ambasadorin çek, Jaroslav Ludva, me çertifikatën “Mirënjohja e Qytetit” për iniciativën dhe kontributin e ndërmarrë në ndihmë të Bashkisë dhe banorëve të Kamzës gjatë situatës së përmbytjeve, si dhe vazhdimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe zhvilluese në dobi të qytetarëve dhe qytetit.