Blerja e Kutinjos

Nga raportimet, zbulohet prapaskena, sipas të cilës, treshja e Barcelonës, Lionel Messi, Luis Suarez dhe Ousmane Dembele detyruan trajnerin e katalanasve Ernesto Valverde të nënshkruajë me brazilianin e Liverpool, Philippe Kutinjo. Barcelona shkundi botën e futbollit, me blerjen e Kutinjos nga Liverpool për shumën rekord 160 milionë euro. Braziliani transferohet kështu në “Camp Nou” me detyrën për të zëvendësuar Andres Iniesta, koha e të cilit duket e përfunduar te klubi blaugrana. Por portali spanjoll “Diario Gol” pretendon se Messi, Suarez dhe Dembele detyruan Valverden të realizojë këtë blerje rekord për Barcelonën, të gjithë për arsye të ndryshme.
Thuhet se dy lojtarët me eksperiencë, Messi dhe Suarez i kërkonin vazhdimisht drejtuesve të Barças që të nënshkruanin me lojtarin e Liverpool, të shqetësuar për atë që ndodhi në merkaton e verës. Neymar u largua për te PSG për shumën rekord prej 220 milionë eurosh, ndërkohë që ofertat e katalanasve për Di Maria dhe Kutinjo u refuzuan nga PSG dhe Liverpool. Për rrjedhojë, Suarez dhe Messi mendonin të dy se Barcelona duhej të godiste fuqishëm me një superblerje në merkaton e janarit, në kërkim të trofeve sezonalë.
Si rezultat, trajneri Valverde depozitoi paratë për të plotësuar kërkesën e dyshes së sulmit blaugrana, duke blerë Kutinjon. Por, sipas “Diario Gol”, një rol të rëndësishëm në vendimin për blerjen e brazilianit luajti edhe Dembele. Barcelona ndjen se 20-vjeçari ka nevojë ende për kohë, përpara se të shndërrohet në një pikë referimi te ekipi katalanas. Në përpjekje për të mbuluar boshllëqet e tij, Barcelona rrjedhimisht lëvizi për blerjen e Kutinjo. Ndërkohë, Paulinho nuk vonoi të shprehë entuziazmin e tij për afrimin e bashkëkombasit në Katalonjë: “Kutinjo është një lojtar i shkëlqyer. Jam i sigurtë se do të na ndihmojë shumë”.
Inter ka fituar pothuajse 2 milionë euro e gjysmë nga transferimi i Kutinjo te Barcelona, por kjo shumë nuk mjafton që tifozët zikaltër ta harrojnë brazilianin, i shitur te Liverpool nga milanezët për vetëm 13 milionë euro më 2013-ën.
Fantazisti ka shpërthyer në Premier League, ku ka marrë edhe pseudonimin “magjistari i vogël”, duke u kthyer në një peng për Interin, siç kuptohet edhe nga fjalët e thëna nga Marco Materrazzi, një prej heronjve të “Triplete”.
“Marco Branca, të cilit i duhen bërë komplimentet për largpamësinë e tij, e ka marrë kur ishte akoma minoren”, ka thënë ish-qendërmbrojtësi zikaltër.
“Ka qëndruar te Vasco da Gama deri kur mbushi 8 vjeç, por erdhi gjithsesi në Milano për t’u stërvitur me ne për një javë. Ishte 15 vjeç dhe herën e parë që më doli përballë ma kaloi topin mes këmbëve dhe unë mendova: ‘Ky është një fenomen’”.