Beteja për Amerikën në Parlament

Partia Demokratike dorëzoi në Kuvend kërkesën e mocionit me debat pas votës pro të qeverisë shqiptare për rezolutën “Për statusin e Jeruzalemit” të miratuar më 21 dhjetor 2017 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Partia Demokratike gjykon se miratimi nga ana e qeverisë shqiptare e këtyre rezolutave, godasin vendimin e SHBA-së, si një akt flagrant në kundërshtim me interesat kombëtare. Qeveria ka vepruar pa informuar Kuvendin e pa u konsultuar me Komisionin të Punëve të Jashtme, si dhe duke përjashtuar Presidentin e Republikës nga procesi konsultativ-vendimmmarrës. Për këtë arsye, Partia Demokratike kërkon rishikimin e votës pro të qeverisë shqiptare dhe të deklarojë një qendrim jo miratues ndaj kësaj rezolute.

Kërkese për Mocion me debat shoqëruar me Rezolutë

REZOLUTA

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë duke synuar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme dhe në Botë. Duke qenë të vetëdijshëm për rolin e pa zëvendësueshëm që SHBA luajnë e do të luajnë për tejkalimin e konflikteve, bashkekzistencën dhe vendosjen e demokracisë në atë Rajon. Duke pasur një besim të pa tundur te pozicionimi amerikan në mbrojtje të vlerave, lirisë e parimeve universale. Duke konsideruar SHBA si partneri kryesor gjeo strategjik i vendit tonë, Kosovës së lirë, shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e kudo ku janë.
Duke provuar konkretisht këtë rol të padiskutueshëm amerikan si faktori kryesor i arritjeve madhore jo vetëm për kombin tone, por edhe për të gjithërajonin tonë. Duke shprehur miqësinë ndaj shtetit të Izraelit, një vend mik dhe demokratik në Lindjen e Mesme,duke shprehur miqësinë ndaj popullit palestinez e duke përkrahur të drejtën e tij për të patur një shtet të qendrueshëm përmes negociatave e marrëveshjes.
Duke mbështetur pa rezerva procesin e paqes përmes negociatave mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, bazuar në vizionin e dy shteteve fqinjë e në paqe me njëri-tjetrin e me vendet e rajonit. Duke apeluar OKB, SHBA, BE dhe të gjithë aktorët ndërkombëtarë që të angazhohen në procesin e paqes në mënyrë aktive e konstruktive në Lindjen e Mesme.
Duke konstatuar se disa komunikata e rezoluta të miratuara në dhjetor 2017 për këtë çështje janë të njëanshme, jokonstruktive, me gjuhë të papërshatshme dhe nuk i shërbejnë procesit të paqes e gjetjes së një marrëveshjeje mes palëve.
Duke qenë të shqetësuar nga miratimi nga ana e qeverisë shqiptare i komunikatës finale dhe deklaratës së samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik të mbledhur në Stamboll më 13 dhjetor 2017, e cila përmban veprime të njëanshme lidhur me statusin e Jeruzalemit, sulme të padrejta e të padobishme ndaj SHBA, si dhe përjashtimin e tyre nga procesi i paqes në Lindjen e Mesme.
Duke qenë të shqetësuar nga vota pro e qeverisë shqiptare për rezolutën “Për statusin e Jeruzalemit” të miratuar më 21 dhjetor 2017 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, përmbajtja e së cilës nuk ndihmon në procesin e paqes dhe i kundërvihet qëndrimit të një vendi sovran, thelbësor për zgjidhjen e problemeve aty, SHBA-së. Duke gjykuar se miratimi nga ana jonë e këtyre rezolutave, që godasin vendimin e SHBA është edhe një akt flagrant në kundërshtim me interesat tona kombëtare.
Duke shprehur keqardhje që këto veprime të qeverisë u bënë pa informuar Kuvendin e pa u konsultuar me Komisionin të Punëve të Jashtme, si dhe duke përjashtuar Presidentin e Republikës nga procesi konsultativ-vendimmmarrës. I kërkon qeverisë: Të distancohet zyrtarisht e publikisht nga Komunikatat Finale e Deklarata e Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik më 13 dhjetor 2017. Të rishikojë votën për rezolutën “Për statusin e Jeruzalemit” të dates 21 dhjetor 2017 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB e në përputhje me rregullat e OKB të deklarojë një qendrim jo miratues ndaj kësaj rezolute. Të informojë brenda një muaji Kuvendin lidhur me sa më lart.