Allegri: Hap drejt finales

Ekipi i Juventusit, duke fituar 1-0 në fushën e Atalanta, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë, bën një hap të rëndësishëm drejt finales së turneut. Massimiliano Allegri, i intervistuar nga mikrofonat e “Rai”, shpjegoi: “Fitore e ndërtuar në një pjesë loje të parë të mirë. Atalanta është gjithmonë një ekip i fortë në shtëpi dhe ka reaguar shumë mirë. Në fakt, në fund të ndeshjes kemi vuajtur, duke e komplikuar jetën tonë. Kjo fitore është një hap drejt finales së Kupës së Italisë, edhe pse duhet luajtur ende sfida e kthimit”.
Ylli i ndeshjes ishte Buffon, i cili u kthye nga lëndimi dhe në pjesën e parë priti një penallti, të ekzekutuar nga Gomez: “Ai ka qenë jashtë për një muaj e gjysmë, por u kthye më së miri. Jam i lumtur për të. Ndër të tjera, Buffon u kthye për të luajtur në Kupën e Italisë pas pesë vitesh”. Ndeshja u vendos nga Gonzalo Higuain: “Përtej golit, ai zhvilloi një lojë të mrekullueshme. Pjaniç? Ai, gjithashtu, bëri mirë. Në pjesën e dytë mund ta hapte lojën pak më shumë, por kishte lodhje”. Juventusin tani e pret një cikël i rëndësishëm: “Ne do të jemi gati për Tottenham, por së pari duhet të mendojmë për të fituar kundër Sassuolos dhe pastaj Fiorentinës. Le të përqendrohemi te ndeshja e radhës”. Së fundi, një aluzion për rivalitetin mes Buffon dhe Szczesny: “Kush luan të dielën? Buffon. Ai pushoi për 45 ditë”.