Akti terrorist në Shkodër/ Si u bllokuan kamerat kur u vendos tritoli në lokal

Ende nuk ka asnjë të arrestuar për atentatin me eksploziv të 13 janarit në qytetin e Shkodrës ku mbetën të plagosur 8 persona.

Shefi i komisariatit Shkodër, Hamdi Shullani deklaroi për gazetarët se është bërë kçyrja e kamerave të sigurisë në laboratorin e kriminalistikës Tiranë por “nuk ka ende asnjë detaj mbi autorin që vendosi motoçikletën në hyrje të godinës dy katëshe, e cila kishte edhe tritolin. Për ngjarjen po vijojmë hetimet, jemi në bashkëpunim me policinë e përgjithshme”.

Momentalisht nuk ka ende asnjë të ndaluar ndërsa shpërthimi i tritolit vendosur në motoçikletë ndodhi paraditen e së shtunës, në momentin kur Lulzim Kulla do të hipte në mjetin e tij. Kulla mbeti i plagosur rëndë nga atentati dhe ndodhet në spitalin e Traumës për mjekim më të specializuar. Hetimet vijojnë ndërsa po punohet dhe për identifikimin e pronarit të motoçikletës e cila u nda në dysh nga shpërthimi.