13 milionë euro për një vendim të çmenduri

Një nismë që nisi si hakmarrje politike e Ramës me shkatërrimin e një pallati me leje në Vlorë do t’u kushtojë shqiptarëve jo pak, por plot 13 milionë euro. Vendimi është vulosur nga Gjykata e Strasburgut, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dje, kjo gjykatë ka rrëzuar qeverinë Rama për çështjen e pallatit të shkatërruar në Vlorë në vitin 2013 për ndërtimin e ‘Lungomares’.
Gjykata e Strasburgut ka vendosur në mënyrë unanime se qeveria shqiptare ka shkelur të drejtat e njeriut dhe urdhëron qeverinë shqiptare të dëmshpërblejë familjarët e dëmtuar nga shembja e pallatit. Sipas vendimit, qeveria shqiptare duhet të paguajë 13 milionë euro për vendimin e shkatërrimit të një pallati banimi të pajisur me leje të rregullt. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut hap një precedent për çdo qytetar prona e të cilit shkatërrohet në mënyrë të paligjshme nga qeveria.
Kompleksi “Jon” në afërsi të Ujit të Ftohtë në Vlorë është rrafshuar përfundimisht pas marrjes së pushtetit nga Rama në vitin 2013. Shembja e pallatit shkaktoi shumë debate. Qeveria kishte dëmshpërblyer me 11.6 milionë euro pronarët e pallatit, por çështja u dërgua në Strasburg. Ky vendim i Gjykatës së Strasburgut hap një precedent të ri për çdo qytetar, të cilit prona i shkatërrohet nga shteti. Gjyqtarët e Strasburgut kanë arritur në përfundimin se, shteti shqiptar është përgjegjës për shkeljen e disa neneve të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Sipas vendimit të Strasburgut, shteti shqiptar ka 3 muaj kohë për të paguar dëmshpërblimin prej 13 milionë euro pronarëve të pallatit. Kujtojmë se kjo nuk është kosotja e vetme që taksapaguesit shqiptarë kanë paguar për shembjen e këtij pallati. Në vitin 2013 me VKM qeveria pagoi 462 919 230 lekë për shpronësimin e 19 familjeve të këtij pallati.
Kompleksi në fjalë “Godinë banimi dhe shërbime 5 kate + 1 kat papafingo + 1 kat nëntokë dyqane”, në lagjen “Uji i Ftohtë” ishte ndërtuar nga subjekti “G.B-A KONSTRUKSION”, me pronar Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi në bazë të lejes së ndërtimit të miratuar nga KRT-ja e Bashkisë Vlorë në 2010. Pra, leja për këtë pallati ishte dhënë nga Shpëtim Gjika, asokohe kryetari socialist i Bashkisë së Vlorës. Gjatë viteve të fundit shumë shqiptarë i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut për të zgjidhur çështje kundër shtetit shqiptar, veçanërisht ato me objekt të drejtën e pronës. Shumë familje kanë fituar çështjet kundër qeverisë, duke përfituar miliona euro dëmshpërblim, për tokat e pakthyera.
Megjithatë rasti i pallatit në Vlorë është i pari që bën fjalë për një ndërtesë të ligjshme të shembur. Ky vendim mund të bëhet precedent për shumë raste kur Qeveria Rama ka shembur prona private të pajisura me letra, në kundërshtim me ligjin dhe të drejtat e njeriut. Mjafton të përmendim rastin e banorëve në Shkozë e Himarë gjatë muajve të fundit, ku qeveria shqiptare shkeli hapur të drejtat kushtetuese të qytetarëve. E drejta e pronës është e drejtë kushtetuese e sanksionuar në Nenin 42, i cili shprehet: E drejta e pronës private është e garantuar. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë. Po ashtu e drejta e pronës është e sanksionuar në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Neni 8 i së cilës shprehet: Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.

Strasburgu 33 milionë euro gjobë Shqipërisë në 33 vendime

Vetëm 33 vendime të marra nga Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe fatura që ka rënduar mbi buxhetin e shtetit shqiptar, ka qenë rreth 33 milionë euro. “Karagjozi”, “Puto” “Vrioni” “Çoko” si edhe “Dhimertika”, janë disa prej çështjeve më me peshë, për të cilat Strasburgu është shprehur në favor të tyre. Jo më kot të cilësuara me peshë, pasi vlera e kompensimit për secilin prej këtyre familjeve shkon deri në miliona euro. Në studimin e paraqitur nga Petër Saraçi, anëtar i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, janë renditur të gjitha vendimet e dhëna ndër vite si edhe masa e kompensimit për secilin prej tyre. “Ky punim shqyrton të gjitha vendimet e humbura nga shteti shqiptar. Duke aplikuar metodologjinë dhe çmimet e përfituara nga praktika ndërkombëtare, arrin për herë të parë të përcaktojë detyrimin real kundrejt shpronësimeve të paligjshme të bëra nga shteti shqiptar”, nënvijëzon Saraçi. Për të gjitha vendimet e dhëna nga Strasburgu, në llogaritjen e masës së kompensimit janë marrë si referuese çmimet për metër katror të miratuara në 2008-ën. Sipas Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Strasburgu nuk e ka njohur formulën e propozuar në ligjin e ri të pronave, i cili ka nisur zbatimin, pavarësisht zërave kundër. Këtë muaj pritet që kjo Gjykatë të dalë me një qëndrim zyrtar mbi këtë ligj.