Vota kundër SHBA ndan Kosovën nga Rama

700
Kosovo Army

Shtetet e Bashkuara kanë pësuar një disfatë në diplomaci, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku është kundërshtuar fuqishëm njohja që Amerika ia ka bërë Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.
Plot 129 shtete kanë shprehur qëndrim të kundërt me Uashingtonin, përfshirë edhe Shqipërinë. Por, ndryshe nga Shqipëria, Kosova do t’i kishte dalë në krah Amerikës, nëse do të ishte anëtare e OKB’së. Kështu thotë numri një i Kosovës, Hashim Thaçi, në një prononcim për Express.
Nëpërmjet një akti kolektiv të mosbindjes karshi Uashingtonit, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka votuar 129 me 9, me 35 abstenime, për të kërkuar që SHBA’ja të shfuqizojë deklaratën e 6 dhjetorit 2017 për Jerusalemin, qytetin e shenjtë të pretenduar për kryeqytet si nga izraelitët, ashtu edhe nga palestinezët.
Rezoluta e OKB’së është jo obliguese dhe rrjedhimisht kryesisht simbolike, por votimi bindës ka vënë në pah lëkundjen që ka shkaktuar në politikën botërore vendimi i administratës Trump për ta thyer një konsensus ndërkombëtar 50-vjeçar për statusin e Jerusalemit, si dhe izolimin diplomatik të Amerikës.
Aleatët kryesorë, si Britania, Franca, Gjermania dhe Japonia, të gjithë votuan pro rezolutës, ndonëse disa aleatë, si Australia dhe Kanadaja, abstenuan.
Rezolutën që dënon njohjen e Jerusalemit kryeqytet e mbështeti edhe Tirana zyrtare.
Por, Kosova, që s’bën pjesë në OKB, do të kishte votuar ndryshe. Këtë qëndrim e ka zbuluar vetë presidenti i vendit, Hashim Thaçi. “Edhe sikur të ishte vetëm vota e Amerikës kundër kësaj rezolute, e dyta do të ishte e Kosovës”, ka deklaruar Thaçi për Gazetën Express.I pari i vendit ka thënë se Kosova do të rreshtohej krah Amerikës, “pa marrë parasysh se si do të votonin të tjerët për këtë çështje”.