Përkeqësohen treguesit e popullsisë, shtesa natyrore bie me 47%

219

Treguesit demografike janë përkeqësuar më tej në tremujorin e tretë të vitit, teksa numri i lindjeve ka rënë dhe vdekjet janë rritur. Sipas INSTAT numri i lindjeve për tremujorin e tretë 2017, rezulton 7.203, duke shënuar një rënie me 20,7%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016. Numri i vdekjeve për tremujorin e tretë 2017 rezulton 4.853, duke shënuar një rritje prej 3,7%, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Gjatë tremujorit të tretë 2017, numri i lindjeve tejkaloi me 2.350 numrin e vdekjeve. Shtesa natyrore e popullsisë, për tremujorin e tretë 2017, pasqyron një rënie me 46,7%, në krahasim me tremujorin e tretë. Shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e tretë 2017, për 12 qarqet e Shqipërisë, regjistron vlerën më të lartë në Qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 1.068 numrin e vdekjeve. Me shtesë natyrore të lartë paraqitet Qarku i Durrësit, me 374 lindje më shumë se vdekje, pasuar nga Qarku i Elbasanit me 321 lindje më shumë se vdekje. Në tremujorin e tretë 2017, shtesa natyrore regjistron vlerë negative vetëm në tre qarqe (Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë). Vlera më e ulët është regjistruar në Qarkun e Gjirokastrës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 56 numrin e lindjeve.