PD propozon moratorium marrjes së inerteve nga shtretërit e lumenjve

Partia Demokratike i kërkoi kryeministrit Rama të ndërmarrë një moratorium për ndalimin e marrjes së inerteve nga shtretërit e lumenjve. Kërkesën e artikuloi kreu i Grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho, nga foltorja e Kuvendit, duke e parë si një nga shkaqet kryesore të përmbytjeve së bashku dhe me shpyllëzimin e vendit. Spaho gjithashtu tha se duhet edhe një plan për zhvendosjen graduale të të gjithë atyre banorëve që kanë ndërtuar në shtretërit e lumenjve. Deputeti demokrat gjithashtu adresoi akuza në drejtim të qeverisë për mënyrën sesi po trajton përmbytjet e fillim dhjetorit të këtij viti. “Shpreh revoltën për mënyrën si qeveria trajtoi dhe vazhdon të trajtojë problemet e përmbytjeve në jug të vendit, Durrës, Tiranë, Vlorë, Fier, madje dhe në disa zona të veriut, 3500 shtëpi u mbytën, 16 mijë hektarë tokë, 1500 banorë u evakuuan. Miliona euro pasuri personale dhe e bizneseve përfunduan në det në disa orë, në shiun e parë që ra. Është e vështirë përmbytja dhe kur je i përgatitur, por ama 125 mijë banorë të rrinë pa energji për disa ditë është përgjegjësi e madhe. Të rrinë pa furnizim me ujë dhe pa shpërndarë ndihma, kot mburreni. Është e turpshme të dëgjosh këtu i kemi dërguar ndihma NATO-s, çfarë shteti jemi ne? Shqetësimi duhet të jetë se pse çdo dy vite po na ndodh përmbytje? Në 2015 u ka premtuar Fierit dhe Vlorës, që nuk do të kenë më përmbytje se gjoja ka bërë 20 herë më shumë investime në vetëm dy vjet. Ku i ka? Sa filloi shiu dhe shyqyr që njoftuan ata grekët që merrni masa se do të fillojnë përmbytjet në Shqipëri se këtu do të ishte bërë kataklizmo. Ku shkuan investimet? Mund të më thoni një gjë, që është bërë në Fier apo Vlorë në Vjosë? Ajo që i kërkojmë kryeministrit është të vazhdojë me planin afatmesëm dhe afatgjatë nëse dëshiron që ata njerëz dhe pronat e tyre të mos përmbyten. 650 rezervuarë dhe diga me reformën territoriale ia ka kaluar pushtetit vendor. Gjysma e të cilave kërkojnë mirëmbajtje të përditshme, si do t’i mbajë pushteti vendor? A e di kryeministri se ata janë rrezik potencial i përhershëm që të shpërthejnë dhe të na çojnë në det të gjithë popullsinë që banon afër territorit të tyre, e pa kryeministri me rezervuarin e Kasharit dhe ata të dy që janë aty? Pse u përmbyt autostrada, çfarë deshën peshqit në autostradë, nga dolën? Nga rezervuari se hapën rezervuarët të derdhet uji. Faturat i paguajnë ata biznesmenë dhe qytetarët atje. Nëse duam të jemi seriozë duhet të shqetësohemi për ato 13 ura që u shembën. Investime thellësisht korruptive. Këtu duhet të ndalemi dhe këtu detyrë ka dhe Prokuroria. Zoti Kryeministër duhet të ndërmarrësh moratorium për ndalimin e marrjes së inerteve nga shtretërit e lumenjve, këto janë shkaqet që përmbyten njerëzit. Ki kurajon, por mos e bëj si moratoriumin e pyjeve, që merr moratoriumin dhe pyjet vijojnë dhe priten. Duhen pyllëzuar shtetërit e të gjithë atyre lumenjve që shpërthejnë, nuk ka mbetur pemë në këmbë. Të hartojmë dhe një plan për largimin gradual të të gjithë atyre familjeve, që kanë ndërtuar në shtretërit e lumenjve dhe përmbyten. Nga halli kanë përfunduar aty, duhet t’i çojmë diku tjetër. Duhet të caktojmë fonde të konsiderueshme që të zgjidhet njëherë e mirë problemi i përmbytjeve. Së fundi, mos bëni shaka me qytetarët duke thënë se do u dëmshpërblejmë, kështu ua bëtë dhe në 2015, por vetëm 5 milionë euro nga grantet e BE, asnjë lek nga buxheti. Mos luani me ligjin për sigurimin e detyrueshëm, nuk mund të sigurohen në mënyrë të detyrueshme për shkak të paaftësive të shtetit”, u shpreh Spaho.