Kemi vdekshmërinë më të lartë të fëmijëve nën 5 vjeç

210

Banka Botërore e listoi Shqipërinë me nivelin më të lartë të vdekshmërisë së fëmijëve nën 5 vjeç në rang europian, por edhe në rajonin e Ballkanit. Pasi ka agreguar të dhënat nga agjenci të tilla si UNICEF, Organizata Botërore e Shëndetësisë, divizioni i popullsisë në Kombet e Bashkuara dhe portali childmortality.org. raportoi se vdekshmëria e fëmijëve nën 5 vjeç në vitin 2016 ishte 14 për 100 lindje. Ky nivel ishte sa dyfishi i vdekjeve të fëmijëve në Serbi dhe Bosnjë dhe ishte tre herë më i lartë se në Malin e Zi.
Pas Shqipërisë, nivel relativisht i lartë i vdekjes së fëmijëve nën pesë vjeç raportohet edhe në Maqedoni me prevalencë 12 për 1000 lindje.
Por ka një diferencë shumë të madhe me ato që raporton Instituti Shqiptar i Statistikave. Për vitin e kaluar, vdekshmëria e fëmijëve nën 5 vjeç shënoi një rritje në 10.2 për 1000 lindje nga 8.9 që kishte qenë ky tregues më 2015.
Vitin e kaluar, rritje ka pësuar edhe vdekshmëria foshnjore nën një vjeç.
Në rang global, vdekshmëria e fëmijëve ka pësuar ulje drastike në dekadat e fundit ndonëse mesatarja botërore vijon të jetë e lartë. Vitin e kaluar humbën jetën 40 foshnja për 100 lindje mesatarisht. Humbje të mëdha ka kontinenti afrikan me 78 vdekje fëmijësh për 100 lindje dhe Azia e Jugut me 48 për 1 mijë lindje.
Banka Botërore shpjegon se burimet kryesore të të dhënave të vdekshmërisë janë sistemet vitale të regjistrimit dhe vlerësimet e drejtpërdrejta ose të tërthorta bazuar në anketa. Por gjithashtu banka sqaron se vlerësimet e vdekshmërisë neonatale, të foshnjave dhe të fëmijëve kanë tendencë të ndryshojnë sipas burimit dhe metodës për një kohë dhe një vend të dhënë. Metoda e Bankës Botërore përdor modele statistikore për të marrë një linjë të mirë trendesh vlerësuese, duke përshtatur modelin e regresionit të vendit për normat e vdekshmërisë ndaj datave të referencës së tyre.
Ekspertët e shëndetit publik në Shqipëri pohojnë se, ka shumë pasaktësi në prevalencat e sëmundshmërisë dhe mortalitetit si në statistikat kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Kjo vjen për shkak të shifrës së pasaktë të popullsisë. Në vitin 2011, kur u bë censusi, u gjet se popullsia reale e vendit ishte pak më shumë se 2.8 milionë banorë, teksa prevalancat e sëmundjeve ishin të përllogaritura me një popullsi 3.2 milionë banorë. Për të shmangur këtë pasaktësi, organizatat ndërkombëtare përdorin metodologji të tjera për treguesit e vitalitetit.