Front i bashkuar kundër së keqes

Zgjedhja e Kryeprokurores të shpallet e pavlefshme. Jemi në fillimet e një beteje

– Beteja më e afërt me kundërshtarin tuaj politik, Edi Ramën janë zgjedhjet lokale, ju kërkoni një koalicion me LSI apo ju do të përqendroheni për koalicion vetëm tek e djathta?
Beteja kryesore e shqiptarëve sot për të kthyer shpresën është beteja për të rikthyer besimin tek vetvetja dhe që të kthejmë besimin tek shqiptarët dhe Shqipëria duhet të kthejmë besimin tek zgjedhjet e lira e të ndershme dhe tek një drejtësi e reformuar, e pakapur politikisht dhe e aftë të ndëshkojë dhe jo të mbrojë krimin e korrupsionin. Që të ndodhin këto të dyja duhet së pari të kemi një qeveri të përkushtuar për këto dy reforma. Një qeveri antimafia, një qeveri të përkushtuar për Reformën Zgjedhore. Prandaj prioriteti ynë dhe beteja kryesore politike për shqiptarët është rikthimi tek parimet perëndimore të demokracisë, të lirisë, të dinjitetit individual, të ekonomisë së lirë të tregut me konkurrencë dhe jo me monopole; ku paratë e taksapaguesve shqiptarë nuk shpërdorohen për tendera dhe koncesione korruptivë, por shkojnë për shërbime themelore, për shëndetësinë, për arsimin, për më të pamundurit që po e mbyllin këtë vit në gjendjen më katastrofike, për të hapur vende pune në një vend, nga i cili krahu i punës po ikën me shpejtësi të madhe, po emigrojnë të rinj. Këto janë sfidat e përditshme të shqiptarëve dhe në qoftë se ne fitojmë betejën për zgjedhje të lira e të ndershme, në qoftë se Reforma në Drejtësi zbatohet ashtu siç është miratuar të jeni të sigurtë që zgjedhjet lokale të vitit 2019 nuk do të jenë një sfidë, por do të jenë një festë e demokracisë.

– Një festë me LSI apo pa LSI?
PD ka koalicionin e vet politik, natyrisht ka një front të bashkuar opozitar kundër së keqes. Dhe ky front është i pamjaftueshëm në vetvete. Thirrja ime ndaj çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje në veçanti ndaj të rinjve është që të bëhemi bashkë në një aleancë vlerash, vlerash perëndimore; për të cilat Partia Demokratike ka lindur dhe që përbëjnë AND e saj.

– Çfarë qëllimi ka turi me qytetarët, për çfarë doni të organizoni ju strukturat e PD?
Kontakti me anëtarët, mbështetësit e PD dhe qytetarët është një e përhershme, jo e veçanta e aktivitetit tim si kryetar i PD. Por nisja e këtij turi përkon me një ngjarje dramatike që është shkelja flagrante e Kushtetutës, javën e kaluar, si kulmim i një sërë veprimesh nga ana e mazhorancës ndaj Edi Ramës, për të hedhur një vello mbrojtëse, dosjeve të krimit dhe korrupsionit të hapura tashmë nga Drejtësia shqiptare, por edhe nga Drejtësia Ndërkombëtare për krimin e organizuar dhe figurat kryesore politike të lidhur me krimin e organizuar. Ne këtë kuadër, jo vetëm me PD dhe mbështetësit e opozitës, por me të gjithë qytetarët, ne do të jemi në një tur bashkëbisedimi për të vendosur së bashku kursin dhe intensitetin e aksionit opozitar dhe qytetar, sepse mbrojtja e Kushtetutës, shkelja e Kushtetutës, çështjet e demokracisë, çështjet e drejtësisë dhe çështjet e ekonomisë nuk janë çështje vetëm të një partie politike, apo të disa partive politike, por janë çështje të gjithë qytetarëve. Dhe ky tur ka për qëllim të vetëdijësojë sa më shumë shoqërinë dhe qytetarët, të kthejë besimin tek vetvetja, të njerëzve, si një parakusht për të kthyer shpresën, se e mira mund dhe do të triumfojë, ku njerëzit e përkushtuar për të mirën janë të gjithë të bashkuar me një qellim.

– Kryeprokurorja e re është zgjedhur, ka filluar punën, për çfarë do të protestoni ju këtë herë dhe do të kemi një protestë apo disa protesta?
Nuk ka lidhje kjo me personin e kryeprokurorit, fakti është se kryeprokurori sot është Edi Rama, është hera e parë në historinë e Shqipërisë që një kryeprokuror zgjidhet me votat e një partie politike, siç e thotë një kolegu juaj dhe një miku im, betimi duhet të ishte bërë në selinë e PS jo në Parlament. Është hera e parë që zgjidhet një kryeprokuror me shkelje të Kushtetutës dhe pa Veting, ku për një vit e gjysmë shqiptarëve i është premtuar se drejtësia e re do të ketë prokurorë dhe gjyqtarë që do të kenë kaluar Vetingun. Pra, nuk ka asnjë dyshim në mendjen e askujt se cili është qëllimi i vërtetë i shkeljes së Kushtetutës javën e kaluar. Është mbyllja e dosjeve të krimit, është ngadalësimi dhe komprometimi i hetimeve për Saimir Tahirin dhe për persona të tjerë të kapur në flagrancë nga Antimafia italiane, nga shërbimet e huaja, por edhe nga drejtësia shqiptare në bashkëpunim me krimin. Kur them persona kam parasysh politikanë të nivelit të lartë, të qeverisë të bashkive kryesore të vendit, të cilët në bashkëpunim me bandat më famëkeqe, Habilajt, Balilajt, janë përgjegjës për kthimin e Shqipërisë ne vetëm katër vite, në eksportuesin dhe prodhuesin më të madh të drogës në Europë, në një vend ku ekonomia është në krizë dhe prodhimi më i madh i vendit është droga.

– Ju përmendët institucione të reja që ngrihen në kuadër të Reformës në Drejtësi, në raport me Parlamentin ju keni listuar tre skenarë, PD mund të ketë një marrëdhënie te kushtëzuar, PD mund ta bojkotoje parlamentin, mund te djege mandatet, por ne fillimin e sesionit të ri ne presim të ngrihet KLP dhe KLGJ, unë dua të di, PD do të jetë pjesë e ngritjes së këtyre? Do të kemi një protestë, apo në vizionin tuaj duhet të kemi një sërë protestash?
Protestat janë një instrument, i cili duhet të bashkërendohet, me pjesën tjetër të aksionit opozitar dhe padyshim që organizimi i protestave do të jetë në funksion të një vizioni dhe një strategjie opozitare. Së pari, për të treguar mospajtimin me të keqen, të shumicës dërrmuese të shqiptarëve, pavarësisht bindjeve politike. Kjo natyrisht e ndërthurur me aksionin opozitar për të ndërtuar një alternativë të besueshme, shpresëdhënëse opozitare, e cila të marrë përsipër rindezjen e shpresës dhe rikthimin e besimit për të larguar të keqen me të gjitha format dhe mënyrat demokratike brenda dhe jashtë institucioneve.

– Ju përmendni çështjen e kryeprokurorit te përkohshëm. A mund të më sqaroni pse u pozicionua PD kundër Shteteve të Bashkuara dhe BE për këtë çështje?
Nuk mund ta pranoj këtë premisë, sepse SHBA janë themeluar dhe funksionojnë në bazë të respektit absolut për Kushtetutën. Betimi i çdo zyrtari amerikan, duke nisur nga Presidenti, ushtarakët gjyqtarët të zgjedhurit, është për respektimin e Kushtetutës. Kështu që është absurde të pretendosh para shqiptarëve që SHBA dhe vendet e BE mbështesin shkeljen e Kushtetutës aq më shumë kur këta faktorë janë investuar për Reformën në Drejtësi, e cila është e gjitha e mishëruar në Kushtetutë. Ky është një justifikim i dobët dhe trashanik i kujtdo që ka dorë në aktin thellësisht antikushtetues të 18 dhjetorit. PD është rreshtuar pro vendeve perëndimore, është reshtuar me të gjithë forcën dhe bindjen pro parimeve amerikane dhe Europiane. Është Edi Rama dhe qeveria e tij, e cila ka kaluar një pikë kritike të helmatisjes dhe përzierjes së autokracisë, me injorancën, korrupsionin dhe krimin. Kjo qeveri ka shkelur Kushtetutën për një synim të vetëm, për të mbrojtur pasurinë e akumuluar në mënyrë të paligjshme dhe kriminale.

– Gjatë 4 viteve të fundit ju keni shkuar disa herë në dyert e Prokurorisë kur ajo drejtohej nga Adriatik Llalla. Asgjë nuk ka ndodhur. A i bashkoheni ju mendimit të ambasadorit Donald Lu se ai ishte një prokuror që refuzonte të ndiqte penalisht politikanët.
Në rastin kur hetimet antimafia zbuluan se ministri më i suksesshëm i Edi Ramës, krahu i tij i djathtë, njeriu i tij më i besuar, Saimir Tahiri ishte i implikuar drejtpërdrejtë në trafikun e drogës dhe të armëve në lidhje me bandën e Habilajve Prokuroria shqiptare veproi. Nuk veproi me dhjetëra herë që ne i kërkuam publikisht dhe padyshim ka qenë në një presion të tmerrshëm politik, për të mos vepruar.

– Kush është rikthimi tek kushtetutshmëria?
Rikthimi tek kushtetutshmëria do të thotë që gjithçka që ka ndodhur në kundërshtim me Kushtetutën dhe që është me doktrinën kushtetuese dhe ligjore e pavlefshme, të deklarohet e pavlefshme dhe mazhoranca të pranojë përgjegjësitë e saj për shkeljen e Kushtetutës, t’i japi vendit një prokuror me Veting, sipas formulës kushtetuese, duke ngritur një KLP sipas Kushtetutës dhe sipas orekseve apo anktheve të Edi Ramës apo kujtdo tjetër.

– Nëse nuk anulohet zgjedhja e prokurorit të përkohshëm, ju nuk shkoni të ngrini KLP dhe KLGJ?
Jo nuk e thashë këtë. Synimi ynë kryesor është që Reforma në Drejtësi të zbatohet sipas Kushtetutës. Dy muaj, tre muaj më parë askujt nuk i shkonte në mendje se Shqipëria do të kishte në 18-vjetor një kryeprokuror pa Veting me votat e 69 deputetëve.

– Vetingu u bllokua 9 muaj nga PD ne nuk e harrojmë këtë fakt!
Është gënjeshtër e pastër. Edi Rama theu paktin e 22 korrikut dhe kaloi një ligj për Vetingun me qëllim që Vetingu të kontrollohej nga ai. Dhe ishte kjo arsyeja pse PD iu drejtua Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ndërkohë që PD protestonte në çadër, ndodhi ajo që PD kishte paralajmëruar. Për 27 pozicione kishte 21 aplikime, pra është fare e lehtë të thuash që në këtë vend fajin e ka opozita për gjithçka që ndodh. Por e vërteta është fare ndryshe, faji nuk është i opozitës, opozita ka bërë detyrën e saj, ka refuzuar – bëhet pjesë e të keqes, ka paralajmëruar, ka denoncuar. Ka paralajmëruar se një Reformë në Drejtësi, e cila nuk merr parasysh vullnetin e Edi Ramës për ta kapur dhe nënshtruar drejtësinë ka rrezik të dështojë dhe kjo është arsyeja pse Vetingu u vonua, sepse në skenën për të cilën Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj dolën garant para Komisionit te Venecias, nuk funksionoi pikërisht ajo që thamë ne që nuk do të funksiononte. 21 kandidatë për 27 pozicione, kjo nuk është përgjegjësi e PD. Megjithatë çfarë është e rëndësishme sot është kjo, ne mbështesim plotësisht reformën dhe pa rezerva, zbatimin e Reformës në Drejtësi siç e kemi votuar në Kushtetutë. Dhe gjithçka që është bërë jashtë Kushtetutës ka një qëllim, ka novoje ta shtrembërojë dhe ta diskretitojë Reformën në Drejtësi. Kjo bëhet nga njerëz, të cilët kanë frikë, nga gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur. Kjo bëhet nga njerëz të cilët tremben nga dosjet e krimit dhe të korrupsionit, tremben nga aferat e rënda kriminale ku janë të përfshirë. Kjo nuk është më tani retorikë opozitare. A ka shqiptarë që nuk e di, që ne jemi i vetmi vend në botë ku ministri i Brendshëm për 4 vite ka qenë bashkëpunëtori numër një i krimit?! A ka njeri ta besojë se kjo ka ndodhur pa dijeni dhe pa bekimin e Edi Ramës?! Të gjitha këto kanë ndodhur për një qëllim, Edi Rama ka bashkëpunuar me krimin për hir të pushtetit të tij, e ka kthyer Shqipërinë në një zonë të lirë të krimit për të mbajtur pushtetin e tij dhe po vazhdon për hir të pushtetit të tij të dëmtojë interesat palësore të shqiptarëve siç është zbatimi i Reformës në Drejtësi. Ka vetëm një arsye, sepse ndodhi ajo që ndodhi në 18 vjetor dhe kjo është frika e Edi Ramës nga lidhjet, përpjekja e tij për të fshehur lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe politikanët e lidhur me krimin e organizuar që kanë qenë dhe janë në krahun e tij.

– Ju e keni negociuar vetë formulën e KLP dhe KLGJ në 21 korrik dhe ju e keni të qartë që nëse opozita nuk shkon, mazhoranca do e zgjedhë me short. A është kjo rruga atëherë?
Jo absolutisht nuk është kjo rruga dhe opozita ka marrë e do të marrë përgjegjësitë e saj. Ajo që opozita nuk mund të bëjë është që të kthehet në një fasadë për shkeljen e Kushtetutës. Nëse procesi i KLP dhe KLGj do të bëhet sipas Reformës në Drejtësi që ne kemi votuar, absolutisht që kjo do të ketë mbështetjen e opozitës dhe të PD. Nëse kemi një tjetër përpjekje për të shtrembëruar apo për të kapur institucionet e reja të drejtësisë, kjo do të marrë përgjigjen e merituar opozitare, njësoj siç e mori më 18 shkurt, më 18 dhjetor, përpjekja për të emëruar kryeprokuror Edi Ramën.

– Kthehemi tek seanca e 18 dhjetorit. Pati disa momente tensioni, kujtoj aleaten tuaj, kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, e cila qëlloi me çizme Kryeministrin. Si u ndjetë ju ndaj këtij gjesti, a është kjo opozita që ju kërkoni të ndërtoni?
Çdo parti merr përgjegjësi për aksionin e saj. Një gjë mund t’ju them që nuk është as tymi dhe as çizmja lajmi i 18 dhjetorit. 18 dhjetori është dita e zezë, kur Edi Rama dhe shumica e tij e dalë nga votat e blera me paratë e drogës, ka shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën, për të kapur kryeprokurorin, për të mbyllur dosjet e Saimir Tahirit; ky është lajmi, kjo është e zeza e asaj të hëne. As çizmet, as takat, as tymi, por fakti që ne kemi sot kryeprokuror një njeri, krahu i djathtë i të cilit është nën hetim nga anti-mafia italiane për trafik ndërkombëtar të drogës. Kur ne e denoncuam shumë shqiptarë nuk e besonin dhe nuk u vë faj se vetëm në filmat me më shumë fantazi të Hollivudit ministri i Brendshëm është dhe kreu i mafias, diku në Amerikën Latine. Ja që fjala jonë doli. Doli si kanë dalë të gjitha denoncimet tona deri më sot. Partia Demokratike ka thënë të vërtetën, ka qëndruar për të vërtetën, është përballur për të vërtetën, ka sakrifikuar për të vërtetën dhe është falë kësaj që sot Shqipëria ka një parlament më pak të inkriminuar se 4 vite më parë, është falë kësaj që kemi një vetëdijesim të shqiptarëve, por edhe të ndërkombëtarëve për rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga narkoshteti dhe nga bashkëpunimi i kriminelëve me politikën. Pra, jemi në fillimet e një beteje, e cila duhet të përmbyllet me fitoren totale të qytetarëve, të vlerave perëndimore, të demokracisë, të shtetit ligjor. Rreshtimi këtu është i qartë, ne jemi pro Kushtetutës, pro Reformës në Drejtësi, pro zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ne mbështesim pa rezerva hetimin, procedimin penal, arrestimin, vënien para drejtësisë të grupeve kriminale dhe të politikanëve të lidhur me ta. Nga ana tjetër kemi një mazhorancë, e cila votoi zemërthyer në 21 korrik 2016, dhe prej 21 korrikut 2016 po bën gjithçka për të sabotuar Reformën në Drejtësi. Çdo investim në propagandë e mashtrime nuk mund ta zbejë këtë rreshtim. Partia Demokratike është në krah të vlerave perëndimore; të demokracisë, të lirisë, të Kushtetutës dhe përballë kemi një kundërshtar politik të inkriminuar, të lidhur me krimin, të bërë 1 me bandat e narkotrafikut; që po bën gjithçka për t’i ikur përgjegjësisë politike dhe përgjegjësisë ligjore para drejtësisë së reformuar.