Farsa, makinat e vjetra ndotin ambientin. Po inceneratorët?

539

Qeveria është vënë në shërbim të koncesionarëve të makinave duke paralajmërur masa të ashpra ligjore ndaj importuesve të makinave. Ministri Klosi ka paralajmëruar se nuk do të lejohet të importohen makina të prodhuara përpara vitit 2005. Preteksti i qeverisë është se makinat më të vjetra se viti 2005 ndotin ambienetin. Kjo është gjysma e së vërtetës që thotë qeveria. Po përse qeveria nuk i interesohet me të njëjtin standard si në rastin e minave edhe me inceneratorët e plehrave? Këta janë shumë herë më të rrezikshëm dhe vdekjeprurës për shkak se shkaktojnë shumë sëmundje vdekjeprurëse dhe megjithatë qeveria në ortakëri me këta koncesione ka vendosur t’i helmojë shqiptarët me plehra, por jo me makina.

Është e patolerueshme që Shqipëria të vazhdojë të mbushet me makina që janë afër fundit të jetës së tyre. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi, thotë në një intervistë të posaçme për “Monitor” se, rinovimi i strukturës së mjeteve duhet të shkojë paralel me nxitjen e masave për importimin e mjeteve Euro 4, Euro 5 dhe 6 dhe për të përmirësuar cilësinë e karburantit që tregtohet në Shqipëri, rritjen e ndërgjegjësimit publik, nxitjen e iniciativave ekonomike të transportit publik dhe atij ekologjik, nxitjen e investimeve private në transportin publik.
Ministri Klosi shton se brenda 6-mujorit të parë 2018 do të hyjnë në fuqi rregullat e reja, sipas të cilave lejohen të importohen në Republikën e Shqipërisë vetëm mjetet motorike, që plotësojnë standardet Euro 5 të shkarkimeve në ajër; dhe mjetet ekzistuese, shkarkimet e të cilave iu përkasin standardeve Euro 1 (viti i prodhimit 1993-1994) dhe Euro 2 (viti i prodhimit 1997), duhet të marrin masat për arritjen e standardit Euro 3.
Këto propozime ishin parashikuar që të hynin në fuqi që në 1 janar 2017, por për shkak se nuk kaloi në kohën e duhur, tashmë duhet të rishikohen datat.

Si do të nxitet përdorimi i mjeteve që nuk ndotin mjedisin?

Si fillim, doja ta vija theksin se jo vetëm makinat, por çdo nismë që shkon në përmirësim të situatës së ndotjes mjedisore, do të nxitet fort nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Prej marrjes së detyrës nisëm punën për analizën e situatës dhe gjetjes së zgjidhjeve të pranueshme që shkojnë në drejtim të synimit madhor, mjedisit të shëndetshëm. Për të gjitha sipërmarrjet, bizneset, kompanitë që punojnë në Shqipëri është kërkuar dhe do të vijojë të kërkohet zbatimi i lejeve mjedisore, standardeve mjedisore. Koha kur mjedisi trajtohej si malli pa zot, pasuria e të gjithëve dhe përgjegjësia e askujt ka marrë fund.
Politikat, ndryshimet e legjislacionit dhe kontrolli do të jenë rigoroz. Ndaj dua që edhe në këtë hapësirë komunikimi me qytetarët, të bëj apelin të merren masa për respektim të standardeve mjedisore. Në këtë kuadër, edhe nxitja e përdorimit të makinave që ndotin sa më pak mjedisin si dhe rinovimi i strukturës së mjeteve në vend, do të jenë pjesë e diskutimeve në masat fiskale lehtësuese.
Rinovimi i strukturës së mjeteve duhet të shkojë paralel me nxitjen e masave për importimin e mjeteve Euro 4, Euro 5 dhe 6 dhe për të përmirësuar cilësinë e karburantit që tregtohet në Shqipëri, rritjen e ndërgjegjësimit publik, nxitjen e iniciativave ekonomike të transportit publik dhe atij ekologjik, nxitjen e investimeve private në transportin publik.

Cilat mund të jenë afatet e reja?

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të ndërmarrë së shpejti iniciativën dhe do të koordinojë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë si dhe me Ministrinë e Financës dhe të Ekonomisë që, brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, të hyjnë në fuqi rregullat e reja dhe standardet e propozuara nga kjo iniciativë ligjore, me qëllim fillimin e një epoke të re. Mjedisi është shëndet, është mirëqenie, është zhvillim, është nxitje për rritjen ekonomike, është kusht parësor për zhvillimin e turizmit.
Për të gjitha këto arsye madhore, operacioni “Pastrojmë Shqipërinë që duam, 24 nëntor – 24 maj”, do të mundësojë Shqipërinë e pastër në prag të sezonit turistik. Shqipëria e pastër nuk do të vijë vetëm nga aksioni në terren, por nga zgjidhja e problematikës në burim, zgjidhja e problematikës së ndotjes, dhënies fund njëherë e përgjithmonë kulturës së pandëshkueshmërisë dhe papërgjegjshmërisë së trajtimit të mjedisit.