E pabesueshme, Bristol City eliminon Manchester United

214

Bristol City ka realizuar një mrekulli të vërtetë sportive, pasi ka eliminuar Manchester United, në sajë të fitores 2-1 dhe shkon në gjysmëfinalet e Kupës së Ligës Angleze, “Carabao Cup”. Skuadra e Championship, një kategori më poshtë se United i drejtuar nga Jose Mourinho, e gjeti golin e fitores në minutën e 93-të, me anë të “heroit” Korey Smith.
Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë. Bryan shënoi golin e avantazhit për Bristol City, por Zlatan Ibrahimoviç barazoi për Manchester United pas 8 minutash me një goditje dënimi të ekzekutuar në mënyrë perfekte. Ky ishte goli i parë për Ibra pas më shumë se 200 ditësh. “Djajtë” u vunë në kërkim të fitores, por pikërisht kur të dy ekipet po i drejtoheshin shtesës, Smith tundi rrjetën e Romero. United ishte fituesi në fuqi i kësaj veprimtarie. Shorti i gjysmëfinaleve do të hidhet pas pak orësh.
Chelsea shkon në gjysmëfinalet e “Carabao Cup” në saj të fitores 2-1 ndaj Bournemouth me golin e shënuar nga Alvaro Morata në sekondat e fundit. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për londinezët me golin e Willian. I shërbyer nga Cesc Fabregas, sulmuesi brazilian tundi rrjetën me portën e boshatisur në minutën e 13-të. Fundi i ndeshjes ishte shumë emocionues. Në minutën e 90-të Gossling barazoi për miqtë, por dy minuta më vonë Alvaro Morata gjeti golin e fitores për skuadrën e Antonio Conte.
Katër skuadrat gjysmëfinaliste në “Carabao Cup” janë: Bristol City, Arsenal, Chelsea dhe Manchester City.