Dy qarqet më të mëdha, Tirana e Vlora me papunësinë më të lartë

278

Tirana dhe Vlora patën normën më të lartë të papunësisë në vend në tremujorin e tretë të vitit. Kryeqyteti paraqitet me strukturën më të përkeqësuar të punësimit në vend si në drejtim të pjesëmarrjes në forcat e punës dhe në normën e papunësisë, teksa shihet se Korça dhe Dibra paraqiten më mirë se qarqet e tjera. Duke raportuar treguesit e punësimit për tremujorin e tretë 2017, INSTAT gjeti se Tirana dhe Durrësi kanë shkallën më të ulët të pjesëmarrjes në forcën e punës. Mosha aktive e punës llogaritet 15-64 vjeç, teksa në Tiranë vetëm 64.2 për qind e kësaj grupmoshe janë të aktivizuar në tregun e punës, që do të thotë se janë në punë ose janë në kërkim të punës, pjesa tjetër prej 36 për qind është dekurajuar, në pension të parakohshëm, me mungesë të aftësive fizike ose i angazhuar brenda familjes. Teksa mesatarja kombëtare e pjesëmarrjes në forcat e punës është 67% e moshës 15-64 vjeç, pjesëmarrje të dobët në tregun punës kanë Durrësi, Tirana dhe Lezha, të cilat janë më ulët se mesatarja kombëtare, ndërsa Elbasani, Fieri dhe Shkodra, janë mbi këtë mesatare. Teksa mesatarja kombëtare e papunësisë arriti në 13.6 për qind, në Tiranë norma e papunësisë nën popullsinë mbi 15 vjeç është 17 për qind niveli më i lartë pas Qarkut të Vlorës që ka nivelin e papunësisë në 24.6 për qind. Ndërsa papunësia më të ulët se mesatarja kanë qarqet e Dibrës dhe Korçës, me respektivisht 6.7 dhe 7.3 për qind. Në harkun kohor të një viti papunësia është ulur në Tiranë me 2.5 pikë përqindje dhe në Durrës me rreth 3 pikë përqindje. Ndërsa në Qarkun më të varfër të vendit atë të Kukësit, papunësia u rrit më tej rreth 5 pikë përqindje në harkun e një viti. Rritje të papunësisë pati edhe në qarqet e Lezhës, Shkodrës dhe Beratit.

Qeveria deformon statistikat e punësimit

Eksperti Selami Xhepa, i sheh me skepticizëm statistikat, duke i konsideruar ato sezonale dhe të paqëndrueshme.“Së pari, duhet thënë që këto janë dinamika shumë afatshkurtra, janë sezonale, bartin brenda sezonalitet, mbartin brenda edhe efekte të politikave të përkohshme, kështu që në planin e përgjithshëm duhet thënë që problemi i punësimit apo i papunësisë vazhdon që të mbetet një nga shqetësimet më serioze edhe për faktin se dhe vetë ai që quhet punësim, shpeshherë është një punësim problematik, pra që nuk garanton një mirëqenie për qytetarët edhe për ata që janë të punësuar. Megjithatë, duke parë dinamikat afatshkurtra, duket që tremujori i tretë ka patur një prirje më pozitive dhe kjo mund t’i atribuohet natyrisht edhe efektit sezonal, duke qenë se industria e turizmit është në bumin e vet dhe nga ana tjetër në dijen time, të paktën nga kontaktet që unë kam patur vetë me industrinë e turizmit, nga ana e qeverisë shpeshherë ka patur dhe detyrime që operatorët turistikë të siguronin më shumë të punësuar, duke i bërë si të thuash në mënyrë të sforcuar nga pikëpamja administrative”.