Operacioni SHBA-Itali kundër Peshkut të Madh

2884

Qëndrimet, deklaratat dhe aksioni ligjor kundër mafies duket se është i mirëkoordinuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Italisë. Deklaratat thuajse flasin në të njëtën gjuhë, ndërsa akionin e ka marrë në dorë Italia, më e angazhuar në terren me hetimet përtej Adriatikut. Cilat janë deklarata që dëshmojnë për një radikalizim në luftën kundër krimit të organizuar që nisin nga fundi i muajit shtator.

30 shtator-Lu: Qeveria duhet t’ju përgjigjet, në të kundërt ju e rrëzoni

Ju kërkoni punë si ata kanë në Gjermani. Ju prisni ligje kundër korrupsionit siç kanë në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe ju këmbëngulni për liritë personale siç kanë në SHBA.
Ju jetoni në një demokraci. Nëse ju kërkoni, qeveria duhet t’ju përgjigjet, në të kundërt ju e rrëzoni. Kështu funksionon demokracia.
Për shembull, në fillim të vitit shkollor, shumë njerëz, përfshirë edhe opozitën, kërkonin libra falas për studentët.
Ky është një vend i vogël. Nuk është një vend i pasur. Por është e arsyeshme që qytetarët të kërkojnë që qeveria të sigurojë para për të blerë libra për studentët e saj.
Dhe kur qeveria të thotë se nuk mund ta përballojë atë, ju duhet të pyesni se si po paguajnë për ndërtesat e tyre, makinat e tyre luksoze dhe udhëtimet e tyre jashtë.
Si një demokraci, përgjegjësia dhe fuqia janë me ju. Ne presim me padurim ditën kur ju të jeni udhëheqës të Shqipërisë. Ne e dimë se brezi juaj do të jetë më i mirë se gjenerata e tyre në udhëheqjen e Shqipërisë drejt së ardhmes së saj evropiane.

2 Tetor- Lu: Me gjasë do të jetë një luftë e egër

Derisa peshqit e mëdhenj të arrestohen, të ndiqen penalisht dhe të futen në burg, kanabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin rryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen. Edhe më shqetësues është fakti që për 2016 kishte zero dënime, zero arrestime, zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për organizim, drejtim apo financim i organizatave të trafikut të drogës”, u shpreh Lu.
Por më pas akuzat për kryediplomatin amerikan ishin me emra konkretë.
“Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihet trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave dhe pastrimi i parave. Janë disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë si trafikanti i drogës, Emiljano Shullazi për të cilin media pretendon se vazhdon të bëjë trafik nga qelia e paraburgimit, apo Lul Berisha, kreu i bandës së Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarë të burgut, kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit po në mënyrë të mistershme është i lirë. Së fundmi, Klement Balili, trafikant droge i kërkuar nga Greqia dhe DEA e SHBA po që ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ka dhe shumë Shullazë, Lul Berisha dhe Klement Balilë të tjerë në Shqipëri”, tha Lu.
Duke shtuar se ka një duzinë trafikantësh të lirë, Ambasadori parashikoi një luftë të egër.
“Është me rëndësi kritike që policët, prokurorët dhe Shërbimet Inteligjente të punojnë më ngushtë për të luftuar krimin e organizuar. Me gjasë do jetë luftë e egër, në vitin 2014 pati 72 bomba në makinë, shumica besohet se ishin rezultat i dhunës mafioze”, u shpreh Ambasadori i SHBA.

16 Tetor-Përgjimet italiane të Habilajve dhe Tahirit nisin procedurat e arrestimit të ish-ministrit të Brendshëm. Në Itali arrestohet Moisi Habilaj

25 Tetor-Yee: Dënime në nivele të larta, askush mbi ligjin

I pari, është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji. Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës. Nuk besojmë se individët duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Së dyti, ne mbështesim qeverinë, që jep shembullin. Qeveria është ajo, e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin.

3 Nëntor-Minniti: Do të godasim të paprekshmit

Një veprim gjithmonë e më të fuqishëm në luftën kundër krimit të organizuar, me objektiva strategjik dhe kam ardhur këtu për t’iu thëne se do të keni bashkëpunimin e plotë të qeverisë italiane. Duhet të godasim trafikantët, organizatat e mëdha kriminale dhe të ashtuquajturit e paprekshëm, sepse nuk duhet të ketë të paprekshëm. Duhet të punojmë sëbashku.

7 Nëntor-Lu: Në Shqipëri le të hamë peshkun e madh

Ne kemi një shprehje “veprat flasin më shumë se fjalët”. Kolegët e mi të ICITAP, OPDAT që ndihmoi Prokurorinë dhe FBI amerikane janë këtu për të angazhuar sërish në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.
Programi ynë për ndihmën ndaj policisë është përgatitur për të pasur këshilltarët ndërkombëtarë që do të punojnë brenda kësaj task-force ndër institucionale. Ndihma jonë për Prokurorinë dhe Policinë do të mbështesë zhvillimin e institucioneve të reja në luftën kundër krimit të organizuar, SPAK dhe BKH-në. Gjithashtu kemi edhe një agjent të ri special të FBI-së, i specializuar në krimin trans kombëtar, i cili do të punojë në Tiranë për disa muaj në mbështetje të kësaj përpjekjeje.
Po flasim me vepra dhe jo me fjalë. Ne në Amerikë kemi edhe një shprehje tjetër “dreka falas nuk ekziston”. Nëse Amerika dhe vendet e BE-së do të vendosim burimet dhe besueshmërinë tonë në luftën kundër krimit të organizuar, ne presim rezultate. Çfarë presim? Presim që ky plan agresiv i qeverisë së Shqipërisë të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të disa peshqve të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm që ky sukses të vazhdojë në 2018 me SPAK dhe BKH.
Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë e presin këtë. Populli shqiptar e kërkon dhe e meriton këtë.
Së fundmi, ju keni një shprehje në gjuhën shqipe “dielli duket që në mëngjes”. Na pëlqen që ky plan veprimi e pranon qartë dhe prerë që krimi i organizuar shqiptar është një problem serioz dhe një kërcënim për sigurinë kombëtare. Plani gjithashtu pranon që deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve kriminale.
Ajo që dimë gjithashtu është që, Shqipëria ka një problem në lidhjen mes grupeve kriminale dhe politikanëve. Nëse e mohoni këtë iu lutem të shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Mark Frrokut, Gentian Muhametit dhe Elvis Roshit. Ky nuk është problem i vetëm një partie, ky është një problem që ka pllakosur politikën shqiptare që nga rënia e komunizmit.
Populli shqiptar ka fjalën tonë se SHBA do të angazhohen fuqimisht kundër krimit të organizuar, pavarësisht lidhjeve që mund të ketë me njerëz të fuqishëm përfshi politikanë, gjyqtarë, prokurorë apo biznesmenë të fuqishëm. Asnjë nuk është mbi ligjin.
Në gjuhën shqipe ju thoni “peshku i madh e ha të voglin”. Për një herë të vetme në Shqipëri le të hamë peshkun e madh.