Merrni në dorë fatet tuaja!

203

Lulzim BASHA

Qeverisja jote ka mbaruar. Ti e di këtë. Nuk qeveriset ky vend. Nuk qeveriset më. Qeverinë e ke të paralizuar dhe çfarë bën?! i merr dhe pastrojnë barëra të këqia në Lushnjë gjysëm ore dhe shkoni pini kafe pastaj. Çfarë bëni ju tani në Shqipëri përveçse i shërbeni vetes tuaj dhe interesave që ju kanë kapur peng. Çfarë tjetër bëni?! Të japësh dorëheqjen ti?! Ti nuk e dhe dorëheqjen kur ministri yt i jashtëzakonshëm u faktua nga mafia si lehtësuesi dhe përfituesi i bandës së Habilajve. Dhe vjen këtu dhe kërkon shpëtim tek Vehbi Alimuça. Çlidhje kam unë me të?! As lidhje dhe as njohje skam me të. Kush të ka thënë ty që unë apo familja ime, apo familja e time shoqe njohin Habilajt?! A e kupton sa poshtë ke rënë?! Me ato u more, por të ka lënë kujtesa. Nxjerr një uturak tëndin këtu dhe pastaj i shkon mbrapa melodisë së atij uturaku. E kupton sa poshtë ke rënë?!
Nuk pres të japësh dorëheqjen edhe pse do të faktoj se si gënjeve. Me letrat e tua që i ke sjellë në Parlament. Sepse t’i nuk e dhe dorëheqjen dhe nuk e jep, sepse nuk e njeh dorëheqjen. Ti njeh pushtetin për veten tënde me çdo kosto për Shqipërinë. Ti që jep standard…ti nuk pranon zgjedhje në parti do japësh dorëheqjen si kryeministër. Keq ose mirë ne kemi zgjedhje. Keq ose mirë, unë vij këtu i zgjedhur kryetar me votë nga anëtarët e Partisë Demokratike, por ti bëre referendum që të mos zgjidhesh more. Flet ti për PD?! Po shumë gjëra kanë nevojë për përmirësim dhe do përmirësohen, por një gjë nuk përmirësohet pa ikur ti. Nuk është PD lodra ime dhe kurrsesi nuk mund të jetë lodra jote. Është shpresa e çdo shqiptari, por ne nuk mund të lejojmë kurrsesi që Shqipëria të jetë lodra jote, e një njeriu që ka provuar që ska as dhembshurinë, as dashurinë, as vizionin, as aftësinë. Jo ta qeverisë, por ta shpëtojë nga e keqja.

Shifrat e vjedhjeve me tre incerenatorët

Ti e zhyte Shqipërinë në të keqe vetëm e vetëm për egon tënde. Vetëm e vetëm për pushtetin dhe pasurimin tënd. Kështu që hu më hu dhe nga një degë në tjetrën se nuk i rri gjatë një teme se nuk i njeh fare çështjet për të cilat flet, vazhdoje shfaqen. Por për temën në fjalën, unë e di që ti nuk e jep dorëheqjen se ska mundësi të japësh dorëheqje, ja ku e ke këtu. 228 milionë është totali i 3 kontratave.
Por për këto zotërote ke planifikuar këtu siç na e ke sjellë, dhe do ua shpërndajmë edhe mediave, ndërtimi, operimi dhe transferimi i incerenatorit për përpunimin e mbetjeve urbane, kohëzgjatja 7 vjet, 2015-2022 dhe kosto vjetore 752.750. Pra 7 vjet me nga 7 milionë dollarë, bëjnë 49 milionë euro. Incerenatori i Fierit, 6 herë 6, 36 milionë. 49 plus 36 bëjnë 85 milionë dollarë. Në Tiranë e ke për 30 vjet, 2018 deri në 2047, 1 miliard lekë të reja, pra 10 milionë dollarë që bëjnë 300 milionë. Ndjesë se nuk qenkan 400, por qenkan 385 milionë dollarë, jo euro. Po ta ul edhe kursin e këmbimit dhe nuk janë 385 por 350 milionë euro. Nuk do zhvasësh 400 milionë, por do zhvatësh 350 milionë dhe për këtë kërkon dorëheqjen time?! Ngaqë do zhvatësh 50 milionë më pak nga sa e llogarita unë?! Për këtë mjafton ndjesa ime. Të kërkoj ndjesë Edi Rama, që të akuzova që po bëhesh gati që me një kompani të vetme, që një ditë pasi fiton tenderin i lidhet kontrata me VKM dhe i bëhet parapagesa, me një person të vetëm ti bën 3 projekte me të cilat do t’u marrësh shqiptarëve 350 milionë euro dhe jo 400 milionë, sa të thashë në fillim. Këto janë faktet dhe të vërtetat. Por ai që ti shkruan këto, o t’i mban të fshehta ose bashkë bëni këtë lojë se nuk ka asnjë mundësi të bësh një projekt për 350 milionë euro me një dorë të vetme dhe të mos e dish ti se ku shkojnë këto para apo të shpjegosh para shqiptarëve pse është një person i vetëm.
Megjithatë ti nuk do të japësh dorëheqjen, e para e punës se do vidhke 50 milionë më pak, do të merrke 50 milionë më pak dhe jo aq sa thashë unë. E dyta, sa herë ke kërcënuar ti apo ke premtuar dorëheqje, sa herë u ke premtuar shqiptarëve ti hapjen e negociatave, sa herë i ke premtuar ti shqiptarëve shëndetësinë falas dhe punësimin?
Punësimin ma gjete ti tani, po më thua që ke punësuar 200 e kusur mijë shqiptarë. A ka njeri që të beson ty? Po ti vetë si ia del të dalësh këtu dhe ta thuash këtë, ku çdo statistikë tjetër e qeverisë tënde, e bankës tënde, e BB-së, e FMN-së, e BE-së të thotë që ekonominë e ke çuar në pikiatë, në dërrasë.

30% e shqiptarëve nuk blejnë dot bukë pa borxhe

Ku çdo kush të thotë se fuqia blerëse e shqiptarëve ka rënë vit pas viti që kur more pushtetin. Ku çdo raport ndërkombëtar të thotë se, gjysma e shqiptarëve këtë dimër nuk do të ngrohin dot shtëpitë e tyre.
Po, po, 30% e shqiptarëve nuk do të blejnë dot pa hyrë në borxh shportën, që do të thotë bukën, vajin, sheqerin dhe 30% e të tjerëve nuk do të paguajnë dot qiratë.
Kjo pra është e vërteta çullak dhe jo fshehja pas Konicës e Fan Nolit. Asgjë nuk të lidh ty, as gjëmën që i bëre Shqipërisë me Fan Nolin dhe Konicën, përveçse ëndrrave të tyre më të këqija për këtë vend. Dhe shpresa e vetme që gjithçka që ke bërë të mbulohet, janë bajatisjet e përditshme, edhe kur s’ke këtë foltore zapton ekranet me bajatisje ku je gati të flasësh për gjithçka përveç të vërtetave.
E ke shtyrë, të ka ecur. Të ka ecur 11 vjet në krye të Bashkisë, të ka ecur 4 vjet në krye të qeverisë dhe mendon se kështu do të vazhdosh ta shtysh.
Paralajmërimi që të kemi bërë sot këtu nuk vjen nga thellësia e fantazive, dëshirave apo e shpirtit tonë si demokratë, apo si opozitarë, por nga gjendja ku e ke çuar vendin, thika ju ka shkuar në palcë njerëzve.
Ndaj mendohu mirë dhe hapi rrugë një zgjidhje politike. Zgjidhja politike nuk është të vish këtu dhe të bësh teatër e cirk, për qindra milionë euro të abuzuara vit për vit.
KLSH-ja të cilës iu referove sa ta ka bërë shifrën e abuzimeve në 4 vite, e ke parë?
Sa është?! Është 1/4 e buxhetit vjetor të Shqipërisë. Në 4 vite, ke abuzuar pothuajse 4 miliardë euro. Ku kanë shkuar këto para? Kush i mori këto para? Nuk është thjesht çështje palmash apo pllakash të thyera, ato janë thjesht simptomat. E vërteta është fare ndryshe.

Qeveri antimafie, zgjedhje të lira dhe të ndershme

E vërteta është se buxheti i shtetit është mushka, është lopa që ndan me krimin, ortakërinë tënde dhe oligarkët.
Dhe qëllimi ynë këtu është pikërisht t’u japim shqiptarëve mesazhin se pa e ndalur këtë instrument e keqja do të vazhdojë të thellohet. Çfarë do të thuash ti sot këtu, çfarë do të bësh ti sot këtu bashkë me këta që nuk pyesin më as për argument, as për integritet, por ngrenë kartonat sipas urdhrave, e keqja do të vazhdojë të thellohet derisa ne të shkatërrojmë këtë mekanizëm kriminal dhe aktet kriminale siç është ky buxhet i pastrimit të parave të pista.
Për këtë nuk mjafton vetëm zëri ynë, nuk mjafton vetëm qëndresa jonë në këtë Parlament, duhet një bashkim i madhi i shqiptarëve dhe kjo është thirrja që unë i drejtoj edhe sot nga kjo foltore çdo shqiptari: Merrni në dorë fatet tuaja! Mos ia lini këtij në dorë! Kjo qeveri ka vdekur “de facto”, ka mbaruar politikisht dhe moralisht para shqiptarëve dhe gjithë botës.
Merrni në dorë fatet tuaja!
Ndërsa e vetmja ofertë që ke nga unë është kjo: Qeveri antimafie, reformë zgjedhore, legjitimitet i vërtetë përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Por përgjigjen nga ty e di, është kompleksi i humbësit, do të dalësh prapë këtu e do të jesh vetë lojtari edhe gjyqtari. Por kjo nuk mundet të vazhdojë gjatë dhe kjo nuk do të vazhdojë gjatë.

Miliona euro në duart e krimit përmes koncesioneve

Basha replikoi ashpër me Ramën dje në Parlament teksa foli për presionet e tatimorëve ndaj biznesit, mbylljen e bizneseve të vogla nga gjobat dhe futja e TVSH-së për to. Ai është shprehur se sikur të ndodhte që qeveria e Ramës të drejtonte në 2005 nuk do kishte asnjë investim të huaj dhe qindra persona do të ishin të papunë. “Abuzimi i tatimorëve dhe presioni i tyre ndaj biznese ka qenë dhe do të jetë në qendër të denoncimeve të opozitës, sa i padrejtë dhe paligjshëm është presioni që ata i bëjnë biznesit. Meqë foli për vitin 2005, po i ftojmë sot shqiptarët të mendojnë sikur atë vit të kishte ardhur Edi Rama në pushtet, në vend se të burgoseshin bandat e rrezikshme, do i bënte ata biznesmenë. Imagjinoni sikur të ishte ky në pushtet në 2005 dhe të katandiste integrimin evropian të Shqipërisë, siç e ka katandisur sot, nuk do i hiqeshin vizat shqiptareve. Imagjinoni sikur Shqipëria të mos kishte asnjë investim të huaj që nga viti 2005, sikurse nuk ka pasur asnjë investim të huaj në këto katër vite. Imagjinoni të mos kishim as investimin e gazsjellësit TAP apo hidrocentralin e Devollit. Imagjinoni dhjetëra, qindra, apo mijëra punonjës do të ishin papunë”, tha Basha. Kreu i opozitës foli për dëmin që po i bëhet ekonomisë përmes Partneriteteve Publike dhe Private. “Dëmi më i rëndë që Edi Rama i sjell vendit është dëmi ekonomik. Sipas buxhetit të vitit 2017 dy janë qëllimet e politikës së Ramës i pari, pastrimi i parasë së prodhuar nga droga dhe krimi. Sot qindra milionë euro janë në duart e krimit përmes PPP, duke lënë në duart e krimit rrugët, shkollat dhe spitalet”. Kreu i opozitës theksoi gjithashtu se është shkatërruar çdo formë konkurrence dhe lirie ekonomie përmes një sistemi ekonomik të mbështetur mbi kartelet klienteliste. “Shkatërrim i çdo forme konkurrence dhe lirie ekonomike dhe krijimin i një sistemi ekonomik i mbështetur mbi kartelet klienteliste. Qëllimi është që e gjithë ekonomia të përqendrohen në pak duar me personat e lidhur me Ramën”. Basha tha se i është shpallur luftë biznesit të vogël, përmes gjobave dhe TVSH-së, gjë që po çon këto subjekte do shkojnë drejt mbylljes. “I është shpallur luftë biznesit të vogël, persekutohen për çdo faturë taksash. Monopolistët kanë qindra milionë euro borxhe ndaj shtetit dhe tolerohen. Bizneset e vogla po mbyllen përmes gjobave dhe tashmë përmes futjes së TVSH. Ky model ekonomik po sjell shkatërrim të strukturës ekonomike”.

Taulant Balla prej kohësh në rrjetën e pastrimit të parave

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha replikoi në Parlament me Taulant Ballën për akuzën e pastrimit të parave.
Basha tha se “kjo është një furtunë në gotë, që Edi Rama të mos i përgjigjet akuzave të faktuara për Saimir Tahirin, për Habilajt, për Balilajt, për vëllain e Fatmir Xhafës, për llogaritë off shore, për të cilat e ka akuzuar OSBE me emër dhe mbiemër me vlerë 200 milionë euro”.
Kryetari Basha u shpreh se, “për të akuzuar PD-në Rama zgjodhi Ballën, që ka rënë në rrjetën e pastrimit të parave prej vitesh dhe që nuk e mbron as imuniteti parlamentar, as fjalimet e stisura.
“Edi Rama bën mirë të pyesë drejtorin e tij të Policisë se ç’ka bërë Balla një muaj më parë me një nga të akuzuarit zyrtarisht nga Prokuroria e Elbasanit në Rumani”, tha Kryetari Basha.
Ai sqaroi se “PD ka deklaruar në KQZ çdo shpenzim sipas ligjit”.
Në përgjigje të Ballës se do ta kallëzonte të hënën në Prokurori, Kryetari Basha i tha “që të mos presë deri të hënën, por ta çojë që sot në Prokurori, t’ia çojë edhe FBI-së në Ministrinë e Brendshme, sepse Partia Demokratike nuk ka asgjë për të fshehur”.
Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se, “njeriu që fsheh milionat, miliardat e zeza të parave të krimit është vetë Edi Rama. Është shenjë e dëshpërimit dhe panikut, që Rama fshihet pas një njeriu që duhet të ishte dhe me siguri është nën hetim për pastrim parash”.