BB: Shqipëria në listën e 5 vendeve me pagat më të ulëta

Raporti më i fundit i Bankës Botërore të të bërit biznes vendos një fokus të veçantë te tregu i punës, pasi mban titullin: reformim për të krijuar vende pune.
Pjesë e raportit të Bankës Botërore është edhe një tabelë me të dhëna të ndryshme mbi tregun e punës në të 190 ekonomitë e botës që merren në vlerësim nga institucioni me bazë në Washington.
Këto të dhëna shërbejnë si një bazë e mirëfilltë krahasuese dhe tregojnë diferencën e theksuar mes ekonomive. Nga këto të dhëna, rezulton se, Shqipëria është një ndër 5 vendet me pagat më të ulëta në rajon.
Si referencë merret puna e një shitësi ose shitëseje, rreth 19 vjeç dhe me një eksperiencë 1-vjeçare pune. Rezulton se, për vendin tonë, kjo pagë fiksohet në 182.3 dollarë, çka përkthehet në 24 mijë lekë të pagës minimale ligjore në vendin tonë.
Kjo shifër e vendos Shqipërinë në listën e pesë vendeve me pagën minimale më të ulët në Europë, si dhe vendin e parafundit në rajon. Më keq se vendi ynë është Bjellorusia me 156.9 dollarë në muaj, Kosova me 150 dollarë në muaj, Ukraina me 133.8 dollarë në muaj, si dhe Moldavia me 110.5 dollarë në muaj.
Në rajon, Shqipëria dhe Kosova janë vendet me pagat më të ulëta, ndërkohë që në Mal të Zi, paga minimale fiksohet në 218.9 dollarë në muaj, Maqedoni, 242.5 dollarë, Serbi 212 dollarë dhe Bosnje-Hercegovinë 232.5 dollarë në muaj.

Me pagat më të ulëta

Përveçse kanë rrogat më të ulëta në rajon, punonjësit shqiptarë janë përballur me përkeqësimin e standardeve të jetesës gjatë viteve të fundit. Banka Botërore deklaroi se rrogat në Shqipëri kanë rënë për katër vite me radhë, duke rrudhur të ardhurat e punonjësve me një intensitet të paprecedentë as për ekonomitë e zhytura në krizë të thellë. “Pagat nominale vazhduan rënien, e cila ka filluar që në fund të vitit 2013, por ky trend duhet të lehtësohet në vitin 2017 nga përfundimi i ngrirjes së rrogave në sektorin publik”, thuhej në një raport të publikuar kohë më parë nga BB. Rënia e pagave nominale nënkupton se punëtorët në Shqipëri po përballen me një krizë të paprecedentë të ardhurash. Kjo pasi, përveç rënies së rrogave në vlerë nominale, niveli i tyre i mirëqenies është përkeqësuar edhe nga rritja e çmimeve.

Shkelje e të drejtave

Kodi i Punës i parashikon një sërë të drejtash për punonjësit që nga ditët e detyrueshme të pushimeve dhe deri tek pagesat shtesë, që ata duhet të përfitojnë për orët shtesë apo ditët e festave. Por këto të drejta duket se i gëzojnë vetëm punëtorët e shtetit, ndërsa pjesa më e madhe e atyre që punojnë në sektorin privat përballen me shkeljen e tyre. Sipas Kodit të Punës në Shqipëri janë 20 ditë pune leje vjetore apo 28 ditë kalendarike. Ndërsa festa zyrtare numërohen 12. Megjithatë në Shqipëri bizneset private nuk e respektojnë tërësisht Kodin e Punës dhe jo të gjithë punonjësit e marrin të plotë lejen vjetore prej 20 ditësh, ndërsa shumë prej tyre detyrohen të dalin në punë edhe gjatë fundjavës. Në ditët e festave dhe të pushimit punojnë dhe të vetëpunësuarit, që përbëjnë rreth një të tretën e totalit të të punësuarve në sektorin privat.