1 i vdekur dhe tre të plagosur në dy aksidente

Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur në dy aksidentet që ndodhën ditën e djeshme në Fushë-Krujë dhe në aksin Tiranë-Elbasan. Një aksident me pasojë një të vdekur ka ndodhur dje në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë. Një automjet me targa AA 439 LL ka përplasur për vdekje këmbësorin Dodë Muça 65 vjeç nga fshati Mallkuç i Krujës.
Përplasja ka qenë e fortë dhe 65-vjeçari ka humbur jetën menjëherë. Nuk dihen ende shkaqet dhe motivet e aksidentit. Forca policie në vendngjarje kanë nisur hetimet. Policia bëri të ditur se, më datë 16.11.2017, tek Ura e Gjoles, Fushë-Krujë shtetasi A.D. 27 vjeç, duke drejtuar mjetin tip “Fiat Punto” ka aksidentuar me pasojë vdekje shtetasin këmbësor D. M. 65 vjeç, banues tek Ura e Gjolës. Drejtuesi i mjetit ndodhet në vendngjarje. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Po ashtu, tre persona kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e djeshme pas një aksidenti në kryeqytet. Bëhet e ditur se, dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën në aksin Tiranë-Elbasan, pranë Ibës. Nga të dhënat paraprake mësohet se 3 të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se, shkak i aksidentit dyshohet të jetë bërë një parakalim i gabuar i njërës prej makinave. Ndërkohë, policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po heton rreth shkaqeve të aksidentit.