I vihet tritoli një dyqani në Tiranë

Një pako me eksploziv ishte vendosur mëngjesin e djeshëm në një dyqan rrobash në rrugën “Petro Nini”, pranë Shkollës së Baletit në Tiranë. Policia dhe ekspertët xhenierë që mbërritën në vendin e ngjarjes, konstatuan se lënda plasëse ishte vendosur pranë shkallëve të dyqanit, në pronësi të Bruneta Aliaj, 55 vjeç.
Menjëherë forcat e policisë kanë ndaluar qarkullimin e makinave dhe të qytetarëve në atë zonë, duke nisur procedurat për shpërthimin e kontrolluar të pakos së dyshuar të eksplozivit. Ka qenë telefonata e pronares së dyqanit në atë zonë që ka alarmuar Policinë e Tiranës.
Pas këqyrjes së kryer prej ekspertëve, u vu re se eksplozivi, nuk kishte shpërthyer, pasi nuk kishte të aktivizuar kapsollën dhe detonatorin. Pakoja u administrua nga ekspertët, të cilët do të kërkojnë të gjejnë shenja gishtash, por edhe të mbetjeve biologjike për të identifikuar autorët.
Pronarja 55-vjeçare është bërë objekt i një sulmi edhe në 2 maj të këtij viti. Në veturën e saj “Smart”, shpërtheu një sasi eksplozivi në zonën e 9-katësheve, pa lënduar njerëz. Ajo është shoqëruar nga Policia në Komisariatin Nr.1, ku ka dhënë dëshminë e saj mbi ngjarjen. Policia e lidh ngjarjen e fundit me atë të 4 muajve më parë. Po verifikohen konflikte të mundshme të tregtares 55-vjeçare.