Torturë dhe shkelje e të drejtave të njeriut në burgjet shqiptare

Komiteti Shqiptar i Helsinkit denoncoi dje publikisht rastin e abuzimit fizik të një të burgosuri në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin. Më 30 shtator, gjatë një kontrolli që synonte gjetjen e sendeve të ndaluara, rojet e burgut kishin hyrë në qelinë nr. 12, duke i kërkuar të burgosurit V.G. nëse ai mbante ndonjë send të ndaluar. Pas reagimit negativ, V.G. pretendoi se ai ishte rrahur vazhdimisht me shkopinj gome nga rojet. Sipas deklaratës së Komitetit të Helsinkit: “Eksperti mjeko-ligjor në përbërje të grupit të KSHH, pas ekzaminimit fizik të të dënuarit konstatoi katër ekimoza në shpinë dhe një në këmbën e djathtë sipër gjurit me gjatësi nga 5-15 cm, si dhe një hematomë në bark, majtas, me gjatësi rreth 10 cm, me ngjyrë mavi dhe të kuqërremtë të theksuar. Dëmtimet e mësipërme ishin lehtësisht të dukshme dhe të freskëta”. Më 3 tetor, KSHH-ja publikoi një raport tronditës lidhur me zbatimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor, konventë në të cilën Shqipëria bën pjesë. Raporti është shumë kritik ndaj standardeve ligjore në Shqipëri sa i përket hetimit dhe dënimit të torturës, si në rastin e mësipërm. Raporti vë në dukje disa mospërputhje mes Kodit Penal Shqiptar dhe legjislacionit ndërkombëtar se çfarë konsiderohet “torturë” ndaj qenieve njerëzore. Ndërsa Kodi Penal Shqiptar njeh vetëm si “torturë” dhunën e ushtruar nga një nëpunës i shtetit, dhe nuk përfshin torturën e ushtruar nga qytetarë të rregullt, edhe pse disa raste të torturës në mjedise kriminale, si për shembull burgjet, të raportuara në vitet e fundit kanë qenë mes të dënuarve. Për më tepër, neni i Kodit Penal mbi Torturën përfshin gjithashtu trajtimin çnjerëzor dhe degradues, nene që nuk zbatohen kurrë nga gjyqësori.