Tillerson: S’kam qenë në prag të dorëheqjes

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, hodhi poshtë njoftimet se ai ishte në prag të dorëheqjes.
“Nënpresidentit kurrë nuk i është dashur të më bindë që të qëndroj në këtë post, sepse asnjëherë nuk kam menduar të largohem nga kjo detyrë”, tha zoti Tillerson.
Ai e bëri deklaratën për gazetarët të njëjtën ditë në të cilën televizioni NBC News njoftoi se para pak kohësh sekretari ishte “në prag” të dorëheqjes, pas disa muaj tensionesh me presidentin Donald Trump dhe se kishte mbetur në post vetëm me nxitjen e nënpresidentit Mike Pence.
Në një deklaratë me shkrim për “Zërin e Amerikës”, këshilltari i nënpresidentit Pence, Jarrod Agen, e mohoi njoftimin e rrjetit NBC.
“Nënpresidenti mund të konfirmojë se, ashtu siç e bëri të qartë Sekretari i Shtetit, ai dhe Sekretari në asnjë moment nuk kanë diskutuar për mundësinë e dorëheqjes së Sekretarit të Shtetit. Çdo njoftim në të kundërt është kategorikisht i pavërtetë”, shkruan ai.
Zoti Agen po ashtu iu përgjgigj edhe një pohimi tjetër të njoftimit të rrjetit NBC, sipas të cilit, ndihmësi i zotit Tillerson, R.C. Hammond, kishte thënë se zoti Tillerson dhe nënpresidenti Pence kishin vënë në dyshim angazhimin e ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley, në mbështetje të politikave të administratës.
“Nënpresidenti e ka njohur ambasadoren Nikki Haley prej shumë vitesh dhe ka një konsideratë tepër të lartë për të dhe e vlerëson lart angazhimin e saj të fortë për administratën në Kombet e Bashkuara”, thotë zoti Agen.
Disa analistë kishin spekuluar se, nëse zoti Tillerson do të jepte dorëheqjen, ambasadorja Haley mund të ishte kandidatja e mundshme për ta zëvendësuar atë në krye të diplomacisë amerikane.
Në njoftimin e rrjetit NBC, thuhej gjithashtu se zoti Tillerson e kishte quajtur presidentin Trump “idiot” pas një takimi me zyrtarë të tjerë të lartë në Pentagon në muajin korrik.
I pyetur mbi komentet e sotme, zoti Tillerson tha se nuk do të merrej me “vogëlsira pa kuptim”. Ai vlerësoi presidentin Trump dhe synimet e tij të politikës së jashtme, që ai tha se “thyejnë kornizat” e asaj që është e arritshme.
Presidenti Trump po ashtu komentoi në Twitter të mërkurën, duke thënë se “lajmet e NBC-së janë të rreme”.
Njoftimi i televizionit NBC News dhe deklarata e zotit Tillerson vijnë vetëm pak ditë, pasi presidenti Trump bëri komente që mesa duket e vinin në pozitë të vështirë diplomatin e tij të lartë, duke thënë se Tillerson po “e humb kohën kot”, duke u përpjekur të negociojë me udhëheqësin e Koresë së Veriut.
Në një seri komentesh, presidenti shkruante: “Kurseji energjitë Rex, ne do të bëjmë atë që duhet bërë!”
Të shtunën në Pekin, zoti Tillerson pohoi se Shtetet e Bashkuara kanë kanale të drejtpërdrejta diplomatike përmes të cilave do të negocionin me Phenianin lidhur me provat bërthamore dhe ato balistike të Koresë së Veriut.
E pyetur nga gazetarët, Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders tha këtë javë se, presidenti ka besim tek zoti Tillerson.
Ky ishte një tjetër incident në tensionet që thuhet se ka patur midis Sekretarit Tillerson dhe presidentit Trump, pavarësisht mohimeve të përsëritura nga Departamenti i Shtetit dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.