Do të ketë ekstradime deputetësh të dënuar?

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi sot në Prokurori kërkesën për kontrollin e të dhënave të dekriminalizimit për deputetin Aqif Rakipi dhe për deputetin Gjetan Gjetani, lidhur me dyshime për fshehjen e të dhënave për aktivitet kriminal, që sipas ligjit për dekriminalizimin duhej t’i pengonte për të marrë poste publike apo për t’u zgjedhur.
Denoncime nga publiku dhe partnerët pranë Partisë Demokratike përbëjnë indicie për të verifikuar nëse të dy këta deputetë kanë fshehur rekorde kriminale në të kaluarën e tyre në lidhje me aktivitete të paligjshme të kryera në Itali.
Partia Demokratike është e vendosur në betejën e saj për të luftuar krimin, dhe për të nxjerrë krimin nga Parlamenti dhe institucionet e shtetit. Në të kundërt, lidhur me këto dy raste, por edhe të tjera që po trajtohen nga Partia Demokratike, Edi Rama dëshmon se vazhdon të mbrojë dhe promovojë krimin, se nuk ka vullnet ta zbatojë ligjin e dekriminalizimit, dhe nuk ka vullnet të shkëputet nga krimi dhe aleanca politike me krimin.
Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të veprojë menjëherë e të garantojë zbatimin e dekriminalizimit.
Ndërsa PD kërkonte një hetim të thelluar për dy deputetët, Rama ka thirrur menjëherë në zyrë kreun e Prokurorisë, Llalla. Eshtë e pakuptimtë se si kreu i qeverisë të thërrasë në mënyrë urgjente kryeprokurorin për një kërkesë për hetim që ka bërë PD, në një kohë që ligji është mjaft i qartë në këtë pikë. Një takim i tillë duket si një mjet presioni ndaj Prokurorisë për të mos zbardhur të vërtetën e deputetit Rakipi. Rama është i njohur për lidhjet me krimin dhe inkriminimin e Parlamentit si dhe për bllokimin e të gjitha institucioneve për të mos lejuar kapjen e këtyre kriminelëve nga ligji i dekriminalizimit. Të njëjtën strategji Rama e përdori edhe për kryebashkiakun e Kavajës, megjithëse dokumentat e gjykatave Italiane ishin të qarta si rrezja e diellit në atë rast.
Duket se Rama po përdor të njëjtën strategji edhe në rastin e deputetit Rakipi. Ai ka kërkuar sot shpjegime nga Kryeprokurori për rastin e Rakipit, por jo për deputetin tjetër të PS, Gjetani për të cilin PD po ashtu ka kërkuar një hetim të thelluar. Ndërsa Prokuroria ka lëshuar një deklaratë zyrtare për këtë takim, ajo që mungon është deklarata e Kryeministridë për takimin me Kryeprokurorin. Sikurse mund të konstatohet në deklaratën e Prokurorisë, Rama është interesuar vetëm për hallin e “Qifes”, por jo për deputetin tjetër të PS, Gjetani. “Në fokus të takimit ishte diskutimi mbi kërkesën e subjektit politik, Partia Demokratike, lidhur me verifikimin e thelluar në kuadër të ligjit të njohur si “Për Dekriminalizimin”, për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, zotin Aqif Rakipi”, thuhet në reagimin e Prokurorisë. Si është e mundur që kreu i qeverisë të thërrasë në takim Kryeprokurorin vetëm për njërin nga deputetët për të cilin opozita kërkon hetim të plotë? Eshtë e qartë se kemi të bëjmë me një ndërhyrje direkte të Ramës në hetimet e Prokurorisë dhe kjo do të ishte e dëshmueshme penalisht. Burime të hetimeve nga strukutura të specializuara kanë bërë të ditur se pritet që të ketë edhe ekstradime të deputetëve që mund të kapen nga ligji i dekriminalizimit dhe që janë të dënuar në vendet e BE. Për këtë kërkohet me forcë edhe një mbështetje e plotë e hetimeve të pavarura dhe pa ndikuara nga presionet e qeverisë dhe grupeve kriminale ndaj Prokurorisë.