Tabaku: Sot çdo ditë mbyllen 40 biznese. Po nesër ç’do ndodhë?

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar dje në lidhje me vendimin e qeverisë për rritjen e taksave ndaj biznesit të vogël. Tabaku paralajmëron rëndimin e situatës për bizneset e vogla, e cila sipas saj do të çojë në mbylljen dhe falimentin e tyre. “‘Fuqia për të taksuar është fuqia për të shkatërruar’ kush më mirë se sa qeveria Rama 1 dhe Rama 2 mund ta zbatonin këtë aforizëm të John Marshall? Mbasi rritën me 1,5 mld USD taksat në ekonomi, mbasi rritën me 10 herë tarifat lokale për biznesin e vogël, këtë vit po planifikojnë të vendosin TVSH për biznesin e vogël. Si rezultat i kësaj 98% e bizneseve në vend do të kenë produkte më të shtrenjta dhe më pak fitime. 100 000 biznese nga janari do të detyrohen të mbijetojnë. Sot çdo ditë mbyllen 40 biznese. Po nesër ç’do të ndodhë? Po shkatërrojnë çdo të ardhur të qytetarëve dhe çdo biznes duke i ngarkuar me taksa të rënda që duhet të shlyejnë borxhet e qeverisë për koncesionet e miqve! Kush e ka radhën pas biznesit të vogël?”, shprehet Tabaku. Biznesi i vogël do të taksohet dhe do të paguajë 20% të TVSH-së. Ky është vendimi i fundit i Ramës, i cili paralajmëron një rritje të fortë taksash vitin e ardhshëm, duke nisur nga taksa për biznesin e vogël. Një tjetër taksë që do të nisë eksperimentimin për shqiptarët është ajo për pronën. Taksa do të nisë të eksperimentohet në Tiranë dhe më pas në të gjithë Shqipërinë. Barra e taksave do të vijë duke u rritur për shkak të borxheve të larta që qeveria Rama ka marrë në katër vitet e para të qeverisjes. Shlyerja e këtyre taksave do të rëndojë mbi qytetarët, të cilët duhet të paguajnë për shpenzimet e luksit të Ramës dhe për koncesionet e klientelës së tij. Shqiptarët duhet të paguajnë shtrenjtë haremin politik të Ramës, ku paratë nuk shkojnë për investime publike, por për koncesione për Vilmat e qeverisë dhe tenderat për klientelën e Ramës, pas të cilës fshihen edhe banda ndër më të rrezikshmet në vend.