Siri: Sulmi rus vret 12 militantë dhe plagos një lider

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar sot se nga një sulm ajror i forcave të veta në Siri, janë vrarë 12 komandantë lokalë të Frontit Al-Nusra dhe është plagosur seriozisht një lider i këtij grupi.
Fronti Al-Nusra është një grup militant, i cili aktualisht është i njohur si Jabhat Fateh al-Sham dhe vlerësohet se është degë e Al-Kaidës në Siri.
“Si rezultat i sulmit lideri i Fronit Al-Nusra, Abu Muhammad al-Golani, ka pësuar plagosje të shumta dhe e ka humbur një gjymturë, sipas infomacioneve nga disa burime të pavarura”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov.
Sipas tij, janë vrarë, po ashtu, 12 komandantë lokalë të Frontit Al-Nusra dhe afro 50 rojtarë.
Këto shifra nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.