Si u armatos anëtari i bandës së Lul Berishës nga Haki Çako

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, ka pajisur me armë një nga anëtarët e bandës së Lul Berishës në Durrës. Dy ditë pas arrestimit të Mariel Fierzës dhe Genti Ndërjaku në Durrës, të cilët kanë lidhje me bandën e Lul Berishës, “Ora News” publikoi një dokument që vërteton se njëri prej të ndaluarve, Genti Ndërjaku ishte i pajisur me një armë pistoletë me leje nga policia. Në dokument thuhet se leja është dhënë në muajin prill të këtij viti dhe kjo leje është firmosur nga drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Po ashtu, dokumenti i siguruar nga “Ora News” tregon Genti Ndërjakut përveç pistoletës i jepet leje edhe për 50 fishekë.
Pajisja me armë e anëtarëve të bandave nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë, vetëm dy muaj para zgjedhjeve dëshmon qartë se bandat u përdorën në zgjedhjet e qershorit për blerjen e votave, duke kërcënuar qytetarët. Tashmë është mëse e qartë se bandat kanë mbështetjen e Policisë dhe të Partisë Socialiste.
Para tre ditësh, Policia njoftoi arrestimin e dy personave në Durrës, Marjel Fierza dhe Genti Ndërjaku, të dy të armatosur me pistoleta. Në media menjëherë Marjel Fierza u etiketua si një prej anëtarëve të bandës së Lul Berishës. Pas arrestimit të dy shtetasve, Marjel Fierza dhe Genti Ndërjaku, Policia deklaroi se bëhej fjalë për persona të rrezikshëm. Nëse vërtet janë të tillë, atëherë pse drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako firmosi lejen e armatosjes së Genti Ndërjakut?
Natën e arrestimit, Policia e Durrësit bëri me dije se, Marjel Fierza, konsiderohej si pjesë e një prej grupeve kriminale të qytetit. Policia tha gjithashtu se 30-vjeçari u ndalua, pasi në makinën e tij tip “Porche” u gjetën dy pistoleta pa leje, njëra prej të cilave ishte e Genti Ndërjakut dhe që më pas rezultoi me leje.
I arrestuari tjetër, Mariel Fierza, person me precedentë të mëparshëm kriminalë, dyshohet se është pjesë e grupit që drejtohej nga Lul Berisha dhe Emiljano Shullazi. Emri i tij u përmend një vit më parë në një dokument sekret të Ministrisë së Brendshme ku flitej për bashkëpunimin mes Shullazit dhe Lulzim Berishës, i cili nga burgu drejtonte grupin e tij në Durrës dhe në terren delegonte urdhrat te personat e tjerë si Julian Meçaj, Marjel Fierza, Mond Çekiçi etj.
Marjel Fierza njihet si pjesëtar i vjetër i bandës së Durrësit, që kur ka qenë në moshë të mitur dhe së fundmi, si një nga njerëzit më të besuar të Lul Berishës, pasi doli nga burgu. Njëkohësisht sipas burimeve policore, Fierza konsiderohet edhe si krahu i djathtë i kunatit të Berishës, Plarent Dervishaj, një nga njerëzit më të kërkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe person në kërkim ndërkombëtar.
Historia “zyrtare” kriminale e Marjel Fierzës nis në vitin 2005, kur ishte ende i mitur dhe u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg. Vetëm 3 vite më vonë në vitin 2008, ai u dënua nga Gjykata e Faktit të Durrësit me 15 vjet burg, për një vrasje në tentativë ndaj shtetasit Aldo Avdyli në vitin 2007. Por vetëm një vit më pas, Apeli e shpalli të pafajshëm “për mungesë provash”.
Kjo ngjarje që ishte pjesë e përplasjeve të përgjakshme të dy bandave të fuqishme të qytetit bregdetar u pasua nga të tjera akte kriminale, me motiv hakmarrjen. Fierza u ka shpëtuar për mrekulli të paktën dy atentateve. Pas pafajësisë, në vitin 2010 në automjetin e Fierzës shpërtheu një sasi eksplozivi, ndërsa 2 vjet më pas iu organizua një tjetër atentat në hyrje të Durrësit me armë zjarri. Burime policore bëjnë të ditur se, ai dyshohet si person i përfshirë dhe në gjobëvënie në emër të bandës ndaj biznesmenëve.

R.POLISI