Shqiptarët, fluks aplikimesh për Lotarinë Amerikane

Dje në orën 18:00 u hapën aplikimet për programin e Lotarisë Amerikane. Tashmë, në faqen zyrtare të Ambasadës është publikuar edhe udhëzimi me rregullat që duhet të ndjekin aplikantët. Këshilla kryesore e zyrtarëve: “Aplikoni herët, por ama vetëm një herë”
Programi i Vizave Emigruese të Shumëllojshmërisë, i autorizuar nga Kongresi, administrohet nga Departamenti i Shtetit në bazë vjetore.
“Seksioni 203(c) i Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë (INA) mundëson viza për një grup “emigrantësh të shumëllojshmërisë”, prej vendeve me shkallë historikisht të ulët emigrimi në Shtetet e Bashkuara. Pёr vitin fiskal 2019, do të jenë në dispozicion 50,000 viza emigrantësh të shumëllojshmërisë (DV). Regjistrimi për në programin e Lotarisë është falas. Aplikantët që janë përzgjedhur nga programi i lotarisë (“të përzgjedhurit”) duhet të plotësojnë kërkesa të thjeshta, por të rrepta, të pranueshmёrisё në mënyrë që të kualifikohen për një vizë shumëllojshmërie”, thuhet në njoftim.
Sakaq, Emily Enright dhe Lorenc Mansaku, përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Shqipëri kanë qenë në studion e emisionit “Rudina” në Tv “Klan” ku kanë dhënë disa të dhëna të rëndësishme. Si për shembull: Fotoja duhet të jetë e re. Aplikimi bëhet herët dhe saktë në gjuhën angleze, etj.
Sipas Mansakut, këtë vit do të ketë edhe një ndryshim, i cili do të vihet re gjatë përfundimit të procesit të aplikimit, kur bëhet verifikimi i të dhënave do të keni mundësinë të shikoni foton.
“Interes ka, ne e shikojmë këtë edhe në “Facebook”, ku na pyesin shumë për kushtet. Për të marrë pjesë ka dy kritere kryesore, ose duhet të kesh shkollën e mesme me kohë të plotë, ose eksperienca e punës, por arsimi është kryesisht ai që i kualifikon shqiptarët. Ka një ndryshim këtë vit, që kur bëhet verifikimi i të dhënave do të keni mundësinë të shikoni foton. Këtë vit kjo është e mundur dhe ne sugjerojmë që të shikoni me saktësi informacionin që keni hedhur për të aplikuar. Ka vetëm një faqe ku mund të aplikoni: dvlotterystategov.us
Çdokush ka të drejtë të aplikojë. Duhet të keni parasysh gjithashtu që të aplikoni me statusin aktual, nëse jeni në proces divorci, ju duhet të përfshini bashkëshortin tuaj dhe fëmijët nëse keni”, tha Enright dhe Mansaku.