SHBA kërkon arrestimin e “peshqve të mëdhenj”

Ambasadori amerikan ka kërkuar sërish arrestimin e peshqve të mëdhenj të krimit dhe të drogës në një koment në rrjetet sociale. “Të lumtë, Skënder Minxhozi! Të gjithë nxitojnë ta shohin këtë betejë si kundër PS-së apo PD-së. Ne amerikanët, duam veprime vendimtare kundër peshqve të mëdhenj të krimit. Ne duam që të gjithë shqiptarët të ndalojnë grindjen dhe të fillojnë punën drejt një synimi të përbashkët: këta gangster të futen në burg. Mjaft u zutë dhe futjuni punës”, shkruan ambasadori Donald Lu.
Pak ditë më parë ambasadori amerikan, tha se në Shqipëri janë disa familje mafioze, të cilat komandohen nga 4 klane kriminale.
“Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihet trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave dhe pastrimi i parave. Janë disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë si trafikanti i drogës, Emiljano Shullazi për të cilin media pretendon se vazhdon të bëjë trafik nga qelia e paraburgimit, apo Lul Berisha, kreu i bandës së Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarë të burgut, kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit po në mënyrë të mistershme është i lirë. Së fundmi, Klement Balili, trafikant droge i kërkuar nga Greqia dhe DEA e SHBA po që ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ka dhe shumë shullazë, Lul Berisha dhe Klement Balilë të tjerë në Shqipëri”, tha Lu.
Duke shtuar se ka një duzinë trafikantësh të lirë, ambasadori parashikoi një luftë të egër.
“Është me rëndësi kritike që policët, prokurorët dhe shërbimet inteligjente të punojnë më ngushtë për të luftuar krimin e organizuar. Me gjasë do jetë luftë e egër, në vitin 2014 pati 72 bomba në makinë, shumica besohet se ishin rezultat i dhunës mafioze”, u shpreh ambasadori i SHBA.