Reagon Berisha: Vlora në duart e narko-bandave!

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar pas publikimit nga televizioni AbcNews të pamjeve të rënda të atentatit të ndodhur të dielën në Vlorë ku mbeti i plagosur edhe një fëmijë 8-vjeçar. “Vlora në duart e narko-bandave! Video tronditëse e vogëlushit 8-vjeçar që pa vdekjen me sy nga breshëritë e kallashnikovit mbi makinën me të cilën udhëtonte me të atin”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe videon.
Televizioni AbcNews publikoi dje pamjet e rënda nga atentati në Vlorë. Eshtë momenti kur nëna merr të birin 8 vjeç, B.Llanaj nga makina. Vogëlushi që pa tmerrin me sy ka lënë spitalin dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa i ati, Ferdinand Llanaj që ishte shënjestra e këtij atentati ka marrë plagë të rëndë dhe ndodhet në spital.
Në makinë ka qenë edhe shoku i tij, Dritan Bega, i cili gjithashtu mbeti i plagosur. Vendi ku ndodhi atentati është vetëm 50 metra larg shtëpisë së Llanajve, ndaj familjarët kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes. Policia dyshon se krimi është kryer për hakmarrje dhe ka lidhje me masakrën e Çoles në 2015, ku i vëllai i Ferdinand Llanajt vrau tre persona.
Një ditë më pare ish-Kryeministri Berisha publikoi mesazhin e një qytetari nga Vlora, i cili shkruante se, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa kishte shkuar i armatosur në spital bashkë me disa persona të tjerë për të mbrojtur një nga të plagosurit në atentatin e Vlorës. Qytetari shkruante se, në spitalin e Vlorës ishin mbi 100 vetë të armatosur që ruanin të plagosurin, ndërsa policia rrinte bashkë me ata kriminelë dhe nuk i arrestonte.
Ndërkohë Llanaj është transportuar për në Tiranë për mjekim më të specializuar. Mësohet se dhe masa e sigurisë për të do të merret në Tiranë. Ai ka marrë gjashtë plumba ndërsa djali që ndodhej në makinë ka marrë një plumb në krah.