Ramadani: Rezultat ndaj Islandës

Pas fitores së parë në kualifikueset e Europianit për 21-vjeçarë, Kombëtarja Shpresa kthehet në fushë. Sërish përballë Islandës, përsëri për një fitore, me Ylber Ramadanin, që thekson se objektivi kryesor i skuadrës së Bushit është vendi i dytë në grup. “Prej fillimit të Europianit objektivi ishte vendi i dytë, ose vendi i parë. Kemi një ekip të mirë me një grup cilësor. Jemi paraqitur mjaft mirë, edhe pse në dy ndeshjet e para na ka munguar fati. Kemi lojtarë shumë të mirë në ekip që mund t’i shërbejnë edhe Kombëtares A, por është trajneri që i merr vendimet. Ne do të mendojmë të hyjmë në çdo ndeshje për të fituar dhe për të arritur objektivat tonë”, u shpreh Ramadani.
Pavarësisht fitores 3-2 të përpara një muaji në Islandë, mesfushori nuk e fsheh faktin që kundërshtarët mbeten favoritë, ndërsa ka edhe një thirrje për tifozët”. Islanda është favorite përpara nesh, por ne do të hyjmë në fushë që të japim maksimumin dhe të marrim rezultat. Gjithashtu i ftoj të gjithë tifozët të vijnë në stadium se janë forca jonë”, tha ai.
Ramadani foli edhe për aventurën e re te Velje në Kategorinë e Dytë daneze, me skuadrën që kryeson kampionatin edhe është në rrugën e ngjitjes në elitë. “Te skuadra ime Velje ndihem shumë mirë, sepse kam gjetur trajnerin Sormani me të cilin kam punuar te Partizani. Më ka ndihmuar shumë të përshtatem me stilin e futbollit danez. Ëndrra ime është Kombëtarja A. Kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe kemi pësuar vetëm një humbje. Objektivi ynë këtë vit është Superliga, sepse klubi ka bërë blerje të mëdha, ka investuar shumë dhe besoj se pas këtij sezoni do të ngjitemi mes më të mirëve”, Ramadani.
21-vjeçari mbetet tejet i lidhur me kampionatin shqiptar dhe Partizanin, dhe shfaq besim se të kuqtë do ta kalojnë momentin e vështirë. “I kam ndjekur të gjitha ndeshjet e kampionatit shqiptar. Më vjen keq që Partizani është në këtë gjendje dhe besoj se do të kthehet shumë shpejt aty ku e ka vendin. Te Partizani kam kaluar një pjesë shumë të bukur të karrierës, kam luajtur në Champions dhe Europa League. Me djemtë, kam kaluar gjithashtu mjaft mirë, dhe nuk mund të harroj vlerat e presidentit”, përfundoi Ylber Ramadani.