Rama me zv.ministra biznesmenë, sepse edhe qeveria është biznes që paguhet nga shqiptarët

Pjesa më e madhe dolën të shastisur nga mbledhja, një pakicë fare e vogël që njihnin dikë në atë listë, dolën të llahtarisur. “Plusi” (+) nuk ka lidhje me PS, madje nuk janë as rreshti i “specialistëve në fushat e tyre” që Edi pretendoi kur u lexoi emrat.
Por edhe PS nuk është kërkund.
Me përjashtim të Petro Koçit të rikthyer, dhe një djali që donte të bëhej kryetar i FRESSH, në atë rresht të gjatë 33 njerëz, nuk ka asnjë socialist, as nga ata pink, as nga ata violë, madje as nga ata rosë të dalë boje. Por lajmi nuk është ky.
Lajm është që atë rresht, e ka mbushur gruaja, pasi ka ikur prej aty burri apo burri, pasi ka ikur nga aty gruaja, çuni i mamit, madje edhe çuni i mamit dhe dhëndri i babit, ceo shitjesh, sipërmarrëse shëndeti familjarisht, “çunat e Fullanit”, “gocat e Çilit” dhe shumë, po shumë fare “no name”, ekzakt në profesionin e tyre. Ky është problemi.
Ndërkohë që gjithkush priste “shkurtim të qeverisë”, siç ishte premtuar xhanëm dhe, ekselencë, zëvendësit e Edit nuk janë kërkushi në fushat ku u thirren sot të kontribuojnë.
Duke nisur nga Ministria e Jashtme, ku Artemisa Dralo, një mësuese province nuk ka asnjë lidhje me diplomacinë e është aty për t’u thënë grekëve se, ne e kemi një të tillë. Etjen Xhafaj është shoku i Lalit dhe Kleopatra Maliqi, jo vetëm që nuk është eksperte e fushës, por është aty pasi burri, domethënë Redi Shtino-zëvendësministër i Arsimit deri tani, del nga qeveria për t’i bërë vend gruas.
Në Ministrinë e Brendshme, Julian Hodaj zëvendëson mamin e bëhet pjesë si dhëndri i babit, ndërkohë që Romina Kuko, sot sekretare në një zyrë për sigurinë në OSCE.
Në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ku Albana Shkurta le me dhimbje rolin e drejtores së Gimes se Red Bull-it për t’i dhënë një zyrë në qeveri, në fushën ku ai ka interesat-sistemin fiskal, ndërkohë që Elton Haxhi po le pa fjalë prej mesditës këdo që e njeh në bllok për engledisjet nëpër parukeri ku shtrin flokët çdo mëngjes para se të vërë mbi to një borselino.
Në Ministrinë e Energjëtikës dhe Infrastrukturës, ku Artan Shkreli-tmerri i fondeve publike, është aty fill pasi doli gruaja pa lënë asnjë gjurmë, ndërkohë që Hantin Bonati është i mbijetuari i madh qysh nga Bashkia e Edit, për t’u marrë më pas me një punë që e ndriti në Kryeministri, ujin e pishëm që thuajse mungon kudo.
Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, ku Mira Rakaçolli-mjeke, gruaja e shefit të Sanatoriumit, por edhe sipërmarrëse në biznesin e shëndetit, konflikt dramatik interesi, do të përfaqësojë e vetme mjekët, ndërkohë që një mësuese në gjimnaz, pastaj drejtoreshë shërbimesh sociale në Lezhë, do të mbulojë pikërisht çështjet madhore që lidhen me të pamundurit e Shqipërisë.
Në Ministrinë e Bujqësisë, ku Dhimo Kote është thirrur të lërë biznesin e tij dhe të fshatarëve po të tij me mandarinat e klementinat për të mbuluar padijen e ministrit në këtë lëmë, ndërsa Roland Kristo, rikthehet të merret me peshkun dhe midhjen me shpresë se do të bëjë ndonjë gjë më shumë se çdo herë që ka qenë në atë ministri, domethënë gjithë jetën.
Në Ministrinë Turizmit dhe Mjedisit, ku Ornela Çuçi, administratorja e bizneseve të Henri Cilit, do të merret me një prioritet, të bindë njerëzit e zakonshëm se, importi i disa mbetjeve lëndë e parë për industrinë e riciklimit është në frymën liberale, jo komuniste dhe nuk bën dëm.
Në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ku Ervin Demo është huazuar këtë sezon të mbrojë e reformojë arsimin publik, tamam aty ku bashkë me Dhorin e tij bënë bizneset e tyre sa plasën, ndërsa Nine Shkurti, o zot çfarë figure, thuajse binjak me Fullanin, do jetë partneri me serioz i presidentëve që menaxhojnë sportin e rrënuar shqiptar, duke filluar me Armando Dukën.
Në Ministrinë e Drejtësise, ku Teuta Godo është thirrur nga Brukseli të bëjë drejtësinë, ndërkohë që Toni Gogu, truri juridik i Fullanit të parë, do jetë garant si pastor për etikën e qeverisë Rama 2.
Tani, a e mbani mend kolonën zanore të këngës së famshme “Janinës ç’i panë sytë”?