Rama përfituesi kryesor i parave të Habilajve

298

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi qesharak distancimin e Ramës nga përfshirja e Tahirit në trafikun e drogës, ndërsa tha se përgjimet e drejtësisë italiane dëshmojnë dhe provojnë skemën e Ramës për blerjen e zgjedhjeve me paratë e drogës. Përmes një konference për shtyp nga selia e PD, Basha solli në vëmendje të gjitha denoncimet e njëpasnjëshme të Partisë Demokratike mbi lidhjet e forta të Tahirit me trafikun e drogës dhe fuqizimin e bandës së Habilajve përmes lidhjeve të tyre me pushtetin.
“Ju keni parë sot në media me sytë tuaj, provat dhe faktet e Antimafias italiane që lidhin direkt Saimir Tahirin me trafikun e drogës dhe të armëve.
Provat e hetimit nga Antimafia italiane tregojnë se, grupi narkotrafikant i drejtuar nga Moisi Habilaj, kushëriri i Saimir Tahirit, i ka paguar shuma marramendëse në dorë Saimir Tahirit, si dhe kanë përdorur për trafik droge, Audin e Saimir Tahirit dhe skafin e tij.
Provat e hetimit tregojnë se, narkotrafikantët kanë kontribuar miliona euro në fushatën elektorale të Edi Ramës.
1400 herë Partia Demokratike e ka denoncuar Saimir Tahirin për lidhjet e tij me organizatat kriminale dhe trafikun e drogës. 1400 herë Edi Rama e ka mbrojtur Saimir Tahirin dhe ka sulmuar opozitën.
Edi Rama burgosi dhe sulmoi oficerin e Antidrogës, Dritan Zaganin, kur ai denoncoi me fakte lidhjen e Tahirit me Habilajt. Sa herë dilnin në dritë fakte për lidhjet e Tahirit me bandat, Edi Rama e ka mbrojtur, duke e quajtur Tahirin bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë dhe ministrin e tij më të suksesshëm. Këto janë faktet.
Rama i ka dalë në krah Saimir Tahirit për çdo akuzë, ndaj sot, nuk ka njeri që të mendojë që Tahiri ka bërë në kokë të vetë”, u shpreh Basha.
Kreu i PD tha se, Tahiri është thjeshtë dhe vetëm një nga peshqit e mëdhenj të kartelit të krimit që sot drejton vendin, ndërsa paralajmëroi se të tjera fakte tronditëse do të publikohen në ditët në vijim për ministrat e tjerë të qeverisë.
“Sot, Edi Rama e shiti Saimir Tahirin vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij.
Sepse, Tahiri ka qenë as më pak as më shumë se ndërmjetësi i Edi Ramës me Habilajt, Shullazin dhe banda të tjera mafioze në vend.
E vërteta është se, Tahiri nuk është as më shumë as më pak se një nga peshqit e mëdhenj, anëtarët e suksesshëm të organizatës kriminalo-politike. Fakte tronditëse do të dalin në ditët dhe javët në vazhdim për të tjerë ministra të Edi Ramës.
Gjithçka është bërë me dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës, që është përfituesi kryesor i parave të drogës së Habilajve. Vetë kriminelët pohojnë në përgjimet e Antimafias se, për të fituar zgjedhjet janë përdorur miliona euro.
Kreu i PD tha se sot shqiptarët kanë të qartë skemën e Ramës për blerjen e zgjedhjeve, ndërsa tha se për aq kohë sa Rama nuk do të largohet nga qeveria, kjo e fundit do të mbetet karteli i krimit dhe drogës në Shqipëri.
“Para shqiptarëve, sot, janë provat që tregojnë skemën sesi Edi Rama ka blerë zgjedhjet.
Këto janë faktet tronditëse para shqiptarëve dhe mbarë botës. Këto janë provat që tregojnë edhe skemën se si Edi Rama ka blerë votën dhe ka dhunuar zgjedhjet.
Për çdo shqiptar është e qartë, se me Edi Ramën në qeveri dhe jo para drejtësisë, qeveria shqiptare do të vazhdojë të jetë karteli kryesor i krimit dhe drogës në Shqipëri.
Nesër, Partia Demokratike do të thërrasë një tryezë me gjithë spektrin opozitar.
Për çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike po troket ora e ballafaqimit me të vërtetën. Po troket ora e vendimeve të mëdha.