Qeveria rikthen taksat për biznesin e vogël

435

Ministria e Financave, në paketën fiskale të vitit 2018 po merr në konsideratë që të rivendosë taksën për biznesin e vogël, në kufirin e xhiros nga 2 deri në 5 milionë lekë, që aktualisht është zero. Lëvizja, sipas burimeve në Ministrinë e Financave po studiohet pas rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që ka qenë gjithnjë kundër përjashtimeve fiskale, pasi ato janë burim evazioni. FMN ka pohuar në deklaratën e fundit në përfundim të Artikullit IV se “struktura e TVSH-së dhe e tatimfitimit për bizneset e vogla duhet të marrë në konsideratë një regjim të thjeshtuar për ta minimizuar barrën për administratën tatimore”.
Në fund të vitit 2015, qeveria shqiptare vendosi që të heqë taksën e biznesit të vogël për xhiro deri në 5 milionë lekë (që ishte 25 milionë lekë në vit), ndërsa për fashën nga 5 në 8 milionë lekë tatimi u ul në 5%, ndërsa për bizneset që kanë një qarkullim vjetor më të lartë sesa 8 milionë lekë, tatim fitimi është 15%.
Vendimi u mor, pasi aksioni antiinformalitet që u zhvillua me agresivitet në shtator-dhjetor 2015 dhe u përqendrua fillimisht tek biznesi i vogël, krijoi pakënaqësi të mëdha dhe uli popullaritetin e politikave të qeverisë.
Por ky përjashtim u konstatua shumë shpejt që u bë burim evazioni. Heqja e taksave dhe vendosja e kufijve të xhiros bëri që prodhuesit të gjendeshin para refuzimit të tregtarëve për të marrë faturë. Kjo do të sillte rritje të xhiros së sipërmarrjeve të vogla, deri në kalimin e tyre në të mesme e të mëdha, pra duke i bërë një biznes objekt taksash.
Të ardhurat nga biznesi i vogël zbritën në rreth 600 milionë lekë në vitin 2016, nga 2 miliardë lekë që ishin në vitin 2015, para se të hiqej taksa për subjektet me xhiro deri në 5 milionë lekë. Pesha që zënë të ardhurat nga tatimi mbi biznesin e vogël në buxhet është e papërfillshme, përkatësisht 0.5% dhe 0.1% e totalit në 2015 dhe 2016, por shqetësimi kryesor lidhet me shkëputjen e zinxhirit të deklarimit për shkak të mungesës së interesit të subjekteve të vogla për të marrë faturë.
Ndërsa në buxhet pesha e të ardhurave të biznesit të vogël është e papërfillshme, ajo ishte e rëndësishme për pushtetin lokal (që përdorte të ardhurat nga kjo taksë), i cili u detyrua ta kompensonte përmes shtimit të taksave të tjera si ajo e pastrimit, hapësirës, pronës etj.
Mësohet se ndërkohe, në kuadër të aksionit antiinformalitet që ka nisur nga 1 tetori, tatimet po kalojnë shumë subjekte të vogla në biznese me TVSH.