Pse nuk dënohen dëshmitarët që ndryshojnë dëshmitë ndaj Shullazit?

Emiljano Shullazi, i cili po gjykohet për gjobëvënie dhe kërcënim, duket se po shkon drejt lirisë. Për t’ia arritur këtij qëllimi, ai po ushtron presion ndaj dëshmitarëve nëpërmjet njerëzve të tij që ndodhen në liri për të ndryshuar deklarimet në seancat gjyqësore. Dhe mesa duket kjo skemë e tij po funksionon, pasi disa nga dëshmitarët e thirrur nga organi i akuzës në seancat gjyqësore kanë ndryshuar dëshmitë ndaj Shullazit. Në këtë skemë duket se janë të përfshirë edhe struktura shtetërore, spese ndonëse ligjërisht dëshmitarët dënohen me burg për dëshmi të rreme, deri tani nuk është marrë asnjë masë ligjore për dëshmitarët që kanë ndryshuar dëshmitë në sallën e gjyqit ndaj Emiljano Shullazit.
Gjatë senacave të fundit gjyqësore disa nga dëshmitarët kanë dëshmuar të kundërtën e deklaratave që kanë bërë në Prokurori ndaj Shullazit. Njëri ndër ta ishte edhe biznesmeni nga Lushnja, Adriatik Kërçuku, të cilit iu vu tritol në biznesin e tij në janar të vitit 2016. Ishte kallzimi i tij në Prokurori që la në burg Emiljano Shullazin, por çuditërish ai ndryshoi dëshminë një ditë më parë në seancën gjyqësore.
Biznesmeni Kërçuku, deklaroi para trupit gjykues se nuk e njihte Emiljano Shullazin. Kërçuku u shpreh se disa kohë para se të ndodhte ngjarja, dikush i ishte prezantuar në telefon: “Shullazi jam, të pres të më takosh”, tha ai, ndërsa po sipas tij, një muaj më pas i kishte ndodhur një shpërthim në makinë. “Unë nuk e njoh Emiljano Shullazin. Një ditë të bukur një person më mori në telefon dhe m’u prezantua si Shullazi. Ai më kërkoi të vija ta takoja në Tiranë, por unë nuk pranova. Më pas, pas një viti më është vënë eksploziv tek pronat”, ka deklaruar Adriatik Kërçuku. Por përfaqësuesit e akuzës deklaruan se dëshmia e tij para togave të zeza ndryshonte nga ajo e dhënë para prokurorëve. Prokurorrja e çështjes deklaroi para Gjykatës, se Kërçuku kishte deklaruar para prokurorëve se ishte kërcënuar nga Shullazi.
Të njëjtin version ka mbajtur edhe Ismail Dervishaj, magazinier në biznesin ku ndodhi shpërthimi. 62-vjeçari tha se, nuk njeh asnjë nga të pandehurit, pavarësisht se ka qenë ai që ka pritur personin e prezantuar si Shullazi. Prokuroria kundërshtoi dëshminë e tyre, pasi në hetimet paraprake ata kanë deklaruar tjetër gjë.
Sipas Prokurorisë, kallëzimi i biznesmenit nga Lushnja bëri që Gjykatat e Apelit për Krimet e Rënda të vendosë mbajtjen në burg të Emiljano Shullazit, Blerim Shullazit dhe Gilmando Danit. Kërçuku kishte depozituar një dëshmi në Komisariatin e Lushnjës dhe më pas në Drejtorinë e Policisë së Fierit, ku tregonte se në muajin janar 2016 është telefonuar nga një numër i panjohur, duke i kërkuar takim, por ai i është përgjigjur se s’mund të takoheshin, pasi atë ditë ndodhej në Durrës. Sipas dëshmisë së biznesmenit të aluminit, telefonata e panjohur është kryer pas vizitës që katër djem të panjohur kanë kryer në biznesin e tij në autostradë, afër Lushnjës.
Më tej është zbuluar se bëhej fjalë për Emiljano Shullazin. Në dëshminë e tij biznesmeni Kërçuku, thotë se tek njësia e shërbimit kanë shkuar 4 vetë me një “BMW” të zezë, me targa të identifikuara dhe janë prezantuar tek punëtori i tij, Mili Dervishi, duke i kërkuar takim me pronarin.
Ai ka sqaruar se, njëri prej tyre i është prezantuar si Emiljano Shullazi. Këtë ia ka rrëfyer punëtori i tij, ndërsa vetë biznesmeni thotë se nuk e ka takuar ndonjëherë Shullazin. Telefonata ku i kërkohej takim i ka ardhur pas kësaj “vizite”. Ai e ka refuzuar dhe pak ditë më pas, më 25 janar 2016 një sasi tritoli shpërtheu brenda oborrit të biznesit të tij. Por dëshmitari në seancë e mohoi këtë version, duke shtuar se kërcënuesi nuk ishte Shullazi.
Deri më tani i vetmi që i ka qëndruar dëshmisë së dhënë më parë se, Emiliano Shullazi e ka kërcënuar dhe marrë shuma të mëdha parash në formë gjobëvënie është dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja. Në dëshminë e dhënë para Gjykatës dëshmitari i marrë në mbrojtje Ylvi Beqja ka treguar se është kërcënuar me armë nga Shullazi dhe u detyrua t’i ofronte shuma të mëdha parash. “Jam detyruar t’i jap pronën sapo kemi shkuar te noterja A. Spahiu, pasi aty Shullazi ka mësuar për shitjen e një pjesë të ish-Vollgës, te çifti Kodra. Pas kërcënimit që më bëri me pistoletë dhe me fjalë të ndryshme, një ditë më pas kam shkuar te noterja A. Spahiu, duke i kërkuar që t’i jepte Shullazit 30 për qind të pronës, dhe jo 20 për qind siç kishim rënë dakord”, ka pohuar në Gjykatë biznesmeni Ylvi Beqja. Gjithashtu ai ka deklaruar edhe për një shumë prej 700 mijë eurosh, që i kishte dhënë Shullazit dhe miqve të tij nëpërmjet kërcënimit.