Projekti që po shkatërron Parkun Kombëtar të Divjakës

 

Prej dekadash Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta ka qenë shtëpi e 24 specieve në rrezik zhdukje dhe e miliona shpendëve të tjerë, që e përzgjedhin atë për folenizim apo shtegëtim. 22 hektarët e kësaj zone gëzojnë mbrojtje më të lartë me ligj dhe janë një ekosistem unik flore dhe faune, ky spikat pelikani Kaçurrel.
Çdo vit, disa mijëra vizitorë vijnë këtu veçanërisht për të admiruar nga larg shpendët e rrallë në habitatin e tyre natyror, ndërsa i vrojtojnë ato me dylbi dhe teleskopë. Të shtunën, një grup të pasionuarisht të natyrës, vrojtuan shpendët në këtë zonë, mes tyre edhe Ervin Allushi, një specialist i menaxhimit të florës dhe faunës pranë Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, i cili tha për BIRN se zona është jetike për shumë specie.
“Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është simbol për sa i përket numrit të shpendëve dhe specieve ku kemi rreth 245 lloje”, tha Allushi, duke shtuar se laguna është zona e vetme folenizimi për Pelikanin Kaçurrel. Megjithatë, një megaprojekt urbanizimi i kompanisë Mabetex, në pronësi të biznesmenit dhe politikanit nga Kosova, Behxhet Pacolli, rrezikon t’i japë fund jetesës së qetë të shpendëve në këtë park.
Projekti i parashikuar prek rreth 15 kilometra vijë bregdetare nga Vila e Bashtovës deri në pikëlidhjen e detit me Lagunën e Karavastasë. Orintologu Taulant Bino, i cili studion shpendët dhe drejton organizatën AOS që merret me vrojtimin dhe mbrojtjen e tyre, e sheh si të pamundur bashkëjetesën e foleve dhe pallateve këtu.
“Për fat të keq, kjo ligatinë pavarësisht rëndësisë që ka kërcënohet nga faktorë të ndryshëm, por ai që ne e quajmë më të rrezikshmin dhe që në afatgjatë e heq nga faqja e dheut është zhvillimi i modeleve të turizmit masiv”, tha Bino, duke folur për BIRN.
“Shqetësimi i pranisë së njerëzve, infrastrukturës që do të shtohet, [do të bëjë që] këtu të mos kemi më park apo një ligatinë, gjithë këta shpendë që shohim sot nuk do të jenë më, sepse shtëpia e tyre praktikisht digjet”, shtoi Bino, duke iu referuar megaprojektit. Në maj, 20 organizata mjedisore europiane i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe Ministrisë së Mjedisit të mos i hapin rrugë projektit të urbanizimit të Parkut Divjakë-Karavasta, por ta lënë zonën në gjendjen natyrore.