Pritet zbarkim i hetuesve të FBI me qëllime të qarta

Në muajin gusht, në Shqipëri erdhi një zyrtar i lartë i FBI-së, i cili zhvilloi një sërë takimesh me të gjitha palët politike të të gjitha niveleve. Zyrtari preku nga afër terrenin për të kuptuar dhe ekuilibrat e këtij vendi të vogël, por me aspirata të ‘mëdha’.
Burime të Hashtag.al, thonë se qëllimi ishte krijimi i një strukture të posaçme, brenda Ministrisë së Brendshme, e cila do përbëhet nga prokurorë amerikanë dhe gjermanë.
Pas kësaj, Rama shkoi në SHBA, ku iu komunikua iniciativa e krijimit të kësaj strukture të re. Projekti parashikon krijimin e një ekipi, të përbërë nga amerikanë të FBI-së, por edhe hetues të strukturave gjermane të sigurisë. Opozita vijon të akuzojë Ramën nëpërmjet letrave zyrtare drejtuar ambasadorëve të huaj, se po përpiqet të kapë institucionet e reja të Vetting-ut, duke shkurtuar buxhetin dhe burimet njerëzore.
Por ndonëse Rama promovon publikisht dakordësinë e tij të plotë me vullnetin e SHBA-ve, ai me siguri e di se një strukturë e tillë, do rrezikojë në radhë të parë ‘ortakët’ e tij, qofshin këta ministra-politikanë apo dhe biznesmenë të lidhur me nëntokën.
Ka ende paqartësi mbi kompetencat e kësaj strukture apo dhe terrenin konkret ku ajo do fokusohet, por paraprakisht mësohet se në shënjestër do jenë “paramilitarët elektoralë”, organizatat kriminale që ushtrojnë ndikime dhe presione gjatë zgjedhjeve.