Polonia shkon në botëror

Polonia bëhet skuadra e 14 që kualifikohet në Botërorin Rusi 2018, ndërsa Danimarka dhe Irlanda e Veriut shkojnë në fazën Play Off. Në orën 18:00 u luajtën sfidat e grupeve E dhe F, aty ku u zgjidhën edhe dilemat përfundimtare.
Në Grupin E ashtu siç pritej Polonia eviton surprizat, pasi triumfon ndaj Malit të Zi, duke vendosur emrin në turneun e vitit të ardhshëm. Ashtu siç pritej Lewandowski mbetet lideri i vendasve edhe pse golat e avantazhit të dyfishtë u realizuan nga mesfushorët Maczinki në minutën e 6 dhe Grosicki 10 minuta më vonë. Dy goditje të shpejta për Malin e Zi që arrin të marrë veten në pjesën e dytë, duke barazuar rezultatin me një supergol në minutën e 78 nga Mogusa dhe 5 minuta më vonë me Vukçeviç. Por polakët ndezin motorrët, duke u rikthyer në epërsi me anë të Lewandowskit 5 minuta përpara fundit, me rezultatin që vuloset nga një autogol i Stojkoviç në minutën e 87.
Në Kazakistan vendasit ndajnë një pikë me armenët në barazimin 1-1. Henri Mkhitarian, kaloi në epërsi miqtë e 26, ndërsa në pjesën e dytë në minutën e 61, Turisbek është ai që vulos rezultatin.
Në Kopenhagen, Danimarka nuk arrin të mposhtë Rumaninë, në një sfidë të zhbllokuar me penallti në minutën e 59 nga Eriksen, pas faullit të shkaktuar ndaj Bendtner. Me 10 futbollistë në fushë që nga minuta e 63, rumunët barazojnë me anë të Deac dy minuta përpara fundit.
Në Grupin F, llogaritë për kreun ishin të mbyllura me Anglinë që udhëtoi drejt Lituanisë si fituese e grupit. Me shumë ndryshime në formacion 3 luanët zhbllokuan sifdën me anë të penalltisë së kthyer në gol nga Hery Kane në minutën e 27, gol që i dha fitoren e 8 në grup Anglisë.
Ashtu siç pritej, Sllovakia bën detyrën ndaj Maltës në shtëpi, me një triumf të pastër 3-0. Me nga një gol për çdo pjesë Nemec bëhet heroi i vendasve, ndërkohë që Duda shënon golin e 3 të mbrëmjes në minutën e 70.
Emocione në Ljubjanë, ku Sllovenia ndal në barazim 2-2 Skocinë. Grifith në minutën e 32 kaloi në avantazh britanikët, por dy ndryshimet në pushim nga Katanec rezultuan decizive me Bezjak, që i ardhur nga stoli shënon dy herë në minutat 52 dhe 72. Dy minuta përpara fundit, Snodgrass i ardhur nga stoli vulos barazimin që nuk i vlen Skocisë për të shkuar në Play Of.
Në Grupin C, Gjermania tashmë e kualifikuar arriti një sukses të lehtë ndaj Azerbajxhanit me rezultatin 5-1. Leon Goretzka hapi serinë e golave që në minutën e 7, por Azerët barazuan me Sheyedaev, duke shkuar në dhomat e zhveshjes pas një pjese të parë pozitive. Gjithsesi, skuadra e Low nuk toleroi në pjesën e dytë, ku fillimisht teknologjia i akordoi një gol Sandro Wagner dhe më pas Antonio Ruediger dhe sërish Leon Goretzka, por edhe Emre Can vulosën suksesin e 10 në po kaq ndeshje për Gjermaninë që nuk la asnjë pikë në këto kualifikuese. Në duelin tjetër, Norvegjia u imponua 1-0 ndaj Irlandës së Veriut, që gjithsesi e ka siguruar fazën Play Off. Në minutën e 71, autogoli i Chris Brunt vendosi fatin e këtij takimi. Republika Çeke bëri detyrën në Pragë ku shkatërroi San Marinon me rezultatin 5-0. Michael Krmencik shënoi dy gola të menjëhershëm që u pasuan edhe nga realizimet e Jan Kopiç, Filip Novak dhe Vaclav Kadlec që mbylli serinë e golave.