Plagoset me thikë një person në Peqin, autori në arrati

Një person në Peqin ka mbetur i plagosur rëndë, pasi është goditur disa herë me thikë. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se i plagosur ka mbetur E.Sh., ndërsa në kërkim është shpallur K.C., 41 vjeç. Ndaj 41-vjeçarit, banues në Peqin, specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan bënë referimin e materialeve në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e tij.
K.C., në Lagjen “Xhami”, gjatë një konflikti për motive të dobëta dyshohet të ketë goditur disa herë me thikë shtetasin 61-vjeçarin banues në Peqin, shtojnë të njëjtat burime. E.Sh., pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Kirurgjik Elbasan, u dërgua për mjekim më të specializuar në Tiranë. Materialet për rastin i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.