“Përmbyset” De Biasi

Kombëtarja shqiptare do të mbyllë eliminatoret e Botërorit 2018 me sfidat ndaj Spanjës dhe Italisë, dy përballje që sipas trajnerit Panucci kanë shumë rëndësi sidomos për imazhin e Shqipërisë. Në këto dy takime Panucci ka thirrur edhe futbollistët e përjashtuar nga De Biasi, Taulant Xhakën, Ergys Kaçen dhe Sokol Cikalleshin. “Janë 2 ndeshje që kanë shumë rëndësi për imazhin e kombëtares. Futbolli na ka mësuar që mund të bëjmë diçka të mirë e të rëndësishme kur ke skuadra më të forta përballë. Këto janë ndeshje ku interesi e përqendrimi është shumë i madh te lojtarët. Duhet të bëjmë 2 sfida plot krenari e dëshirë pasi i sheh e gjithë bota”, tha Panucci.
Kanë mbërritur të gjithë lojtarët brenda ditës së hënë kur ishte caktuar nga trajneri Panucci për fillimin e grumbullimit. Ndër të parët, i përjashtuari i grumbullimit të parë Sokol Cikalleshi. “Disiplina është diçka parësore dhe duhet respektuar sepse ne jemi profesionistë. Çdo vendim merret për të mirën e kombëtares. Me Panuccin nuk kam patur asnjë komunikim deri më tani, por ftesa është komunikimi më i mirë”, u shpreh Cikalleshi.
Pasi u shndërruar në heroin e Atalantës në barazimin me Juventusin të dielën në mbrëmje, Etrit Berisha, shpjegon edhe një herë se si ndaloi Dybala, atëherë kur gjithçka u duk e mbyllur. Ndërkohë do të jetë një rrezik konstant që kombëtarja jonë do ta vuajë më shumë me mungesat që do të ketë. “Do të jetë shumë e vështirë, megjithatë me rikthimin e Ajetit dhe Gjimshitit do të na bëjë që ta përballojmë më mirë”, tha Berisha.
Për sulmuesin tjetër kuqezi, Armano Sadiku këto përballje luksi me Spanjën dhe Italinë, nuk kanë nevojë për motivim. “Këto mund të them që do të jenë dy ndeshje që kushdo do t’i luajë me shumë qejf. Ne kemi treguar gjithmonë se me skuadrat e mëdha japim gjithmonë maksimumin”, u shpreh Sadiku.
Ansi Agolli dhe Elseid Hysaj vazhduan stërvitjen të diferencuar për shkak të problemeve të vogla fizike, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës ishte e plotë. Ashtu siç ka paralajmëruar, Panucci ka dashur që vëmendja mediatike të mos depërtojë deri në detajet më të vogla të seancës stërvitore, duke i hapur dyert për mediat vetën në 15 minutat e para dhe më pas është fokusuar tërësisht te puna me grupin që do të rrisë ritmin në këtë seancë, pasi ndeshja e Alicantes po troket dhe skuadra duhet të jetë fizikisht dhe moralisht gati për t’i bërë ballë një prej ekipeve më të forta të planetit.
Arlind RAMA