PD e ka lidershipin e duhur

Hamit TAKA

Kori i arrivistëve, anarshistëve, revanshistëve, diversionistëve, pesimistëve, nihilistëve, fatalistëve, paragjykuesve, me zë apo pa zë, me emër e pa emër, me fytyrë e pa fytyrë, brenda e jashtë saj, trumbetojnë me të madhe se Partisë Demokratike i mungon lidershipi konkurues. Një tentativë kjo sa spekulative aq edhe provokuese, për të realizuar atë që dëshirojnë, ambiciet e tyre ose zbehjen e rolit të partisë së parë opozitare në zhvillimet demokratike të vendit. Për ata pak, që mund ta besojnë me naivitet këtë teori të dështuar, problemi ka të bëjë edhe me vetë mënyrën se si shtrohet. Disa bëjnë të diturin e të habiturin: More, po kjo PD është parti e djathtë apo e majtë? Disa të tjerë, me gjasme të shqetësuar: Po pse me këta buzëqumështit e Bashës do fitojë zgjedhjet PD?
PD e ka përcaktuar qartë pozicionin e saj që në programin themelues, më 12 dhjetor 1990, si parti e qendrës së djathtë. Por ne nuk kemi ende mendësi atavike nga diktatura dhe vazhdojmë t’i konceptojmë të majtën e të djathtën, duke u bazuar në rreshtimin e forcave gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore: partizanë e ballistë, besnikë të partisë dhe armiq të popullit. Domethënë, në demokracinë tonë ala shqiptarçe, e majta evidentohet me bazë ish-partizanët, ish-komunistët dhe punonjësit e organeve të sigurisë (domethënë të ndëshkimit), kurse e djathta evidentohet me ish-ballistët, ish-të pasurit para 1944-ës dhe me të burgosurit politikë-armiqtë e partisë e të popullit.
Historikisht, mendimi politik botëror është ndarë në dy ideologji kryesore: E majta dhe e djathta. Bazuar në këto parime janë ndërtuar më pas politikat ekonomike e financiare, arsimore, shëndetësore, politikat e emigracionit etj. Por ka kohë që shumica e studiuesve, analistëve apo vëzhguesve të politikës mendojnë se, dallimet e majtë-e djathtë në politikë apo partitë politike, janë zbehur ose janë bërë gati të padukshme. Kjo vihet re thuajse në të gjitha partitë politike të vendeve të Europës dhe të Amerikës së Veriut, vende ku këto dallime dikur kanë qenë të thekshme. Duke patur parasysh se në Shqipërinë e ‘90-ës demokracia e fillonte nga zeroja, varfëria ishte ekstreme, në shoqërinë uniforme nuk ekzistonin më klasat tradicionale, por zyrtarisht struktura e saj përbëhej nga dy klasat “mike”, punëtoria (në drejtim) dhe fshatarësia, PD ishte e detyruar të ndërmerrte edhe praktika majtiste, sidomos të karakterit ekonomik e social. Mendja ta thotë se, jo më qytetarët e thjeshtë, por edhe shumica e politikanëve aktivë dhe deputetëve, nuk janë të vetëdijshëm për këto këndvështrime apo bindje, se çfarë është e majta dhe e djathta, nga ku burojnë idetë e tyre, çfarë është njeriu, shoqëria, shteti, e drejta dhe si këto ide përkthehen në politika.
Ndryshimi kryesor mes të majtës dhe të djathtës qëndron tek ekonomia. E majta mendon se, shteti duhet të ketë një rol më të madh në rishpërndarjen e të ardhurave. Të pasurit duhet të taksohen më shumë, ndërsa të varfërit më pak. E djathta kërkon taksa sa më të ulëta, pasi mendon se, sa më pak të ndërhyjë shteti në ekonomi, aq më mirë do të ishte. Njerëzve u duhen krijuar kushte të barabarta gare, e më pas të lihen të lirë për të ndërtuar kapitalin, pasi kapitalisti e ndërton pasurinë në bazë të meritës. Le të ndalemi te programi i Lulzim Bashës gjatë fushatës elektorale. Pika mb “i” e gjithë sa thamë e thuhet ishte taksa e ulët 9 për qind për të gjithë taksapaguesit.
Eshtë e vërtetë se e djathta klasike mendon se “supë falas nuk ka”, ndaj programet sociale janë shumë të reduktuara, ndërsa taksat që qytetarët duhet të paguajnë janë shumë të ulëta. Kjo, pasi e djathta mendon se njeriu duhet të ketë lirinë për ta shpenzuar apo investuar vetë kapitalin e tij. Por, e detyruar nga gjendja ekonomike e shqiptarëve, PD ka ndjekur deri sot politika më sociale nga e majta shqiptare, e cila duhej të promovonte paketën e ndihmës sociale, ç’ka do të thotë se pensionet sociale apo mbështetja e shtetit ndaj individit duhej të ishte shumë më e madhe. Por ajo në fakt, gjatë katër viteve të qeverisë Rama, pensionistët i katandisi në pikë të hallit dhe ngriu rrogat e nëpunësve. Ndërsa PD gjatë 8 vjetëve qeverisje i dyfishoi pensionet dhe rrogat, ndërsa taksën e mbajti 10 për qind. Ndërkohë e djathta ende premton rritje të ndihmës sociale, kur e majta i ka minimizuar ato, duke pretenduar se ka bërë një reformë të thellë në këtë sektor.
Dallime ka edhe në politikat shëndetësore dhe ato arsimore. PD, që nga fillimi deri tani, ka pasur një model social, ku studimi në universitetet shtetërore ishte pothuaj falas. Me miratimin e Reformës në Arsim nga e majta, Shqipëria shkon drejt një modeli anglo-sakson, të ndikuar nga teoritë e Milton Fridmanit, sipas së cilit “paraja ndjek studentin”. E thënë ndryshe, studentët do të paguajnë më shumë, prandaj edhe protestojnë.
Gjithsesi, me zhvillimin e globalizmit dallimet mes këtyre dy ideologjive, e majta dhe e djathta, po shkojnë drejt minimizimit, pasi sot është shumë e vështirë që një parti në pushtet të hartojë vetëm politika të djathta apo vetëm të majta.

O, perëndi, pse lindëm kaq vonë?
Problemi i dytë i shtruar mos më keq, mosbesimi ndaj të rinjve në lidership, është një atavizmë sa historike aq edhe e aplikuar gjatë diktaturës moniste, kur një veterani analfabet i besohej mijëra herë më shumë në drejtimin e punëve të partisë-shtet se një të riu universitar. Kjo mendësi haset gjithandej edhe sot, bile tek intelektualë, që i mbajmë si korifej të mendimit. Sa për ilustrim po sjell dy shembuj nga mediat më të mëdha në orët më të shikuara.
Në një debat televiziv, një pjesëmarrës i ri, i studiuar jashtë vendit, përballë një akademiku dhe dy “korifejve” të diskursit publik, u gjend para një sulmi frontal. Në një moment, kur ishte rritur tensioni i bashkëbisedimit për një temë “të nxehtë”, i riu iu drejtua akademikut: le të diskutojmë si akademikë. Nuk kuptohej se, bashkëbiseduesi i ri e quante edhe veten akademik apo e ftonte bashkëbiseduesin të debatonte si akademik, por kjo ishte fare e parëndësishme. Në çast akademiku iu hodh tërë mllef e përbuzje: Ti akademik?! Po ti s’je asgjë, mo, ti je një hiç. Në të vërtetë nuk i shkonin hiç debatit publik këto fjalë të akademikut. Pse akademiku i moshës së tretë e konsideronte zero propabilitetin e të riut për t’u bërë nesër akademik? Harrojnë akademikët e sotëm se shkollimi i tyre që nga leximi i abetares e deri tek ato pasuniversitare përshkohej nga boshti ideologjik i marksizëm-leninizmit, që na çoi atje ku na çoi dhe mbi këtë bazë merrnin edhe tituj shkencorë? Harrojnë ata se të rinjtë e sotëm, që mbarojnë shkollat e larta, brenda apo jashtë vendit, kanë filluar të hyjnë në jetën e qytetëruar të njerëzimit dhe nuk mund të shkëputen më nga asnjë lëvizje e përgjithshme mendore, siç na ndodhi neve për gjysëm shekulli?
Po kaq i ngjashëm ishte dhe një rast në “Opinion”. Një ish-deputet i PD, pas një panegjiriku për zotin Ruçi, iu drejtua një editorialisti të ri të një gazete të pavarur, që nuk ishte i një mendimi me të: Po, hë, pa na thuaj ti, je pro apo kundër Ruçit si Kryetar i Parlamentit? Gazetari i ri iu përgjigj thjeshtë e qetë: Zoti Ruçi mund të jetë burrë zotëri, siç thoni ju, por përgjigjja ime është jo, për funksionet e tij para proçeseve demokratike dhe imazhit të tij. Pa e dëgjuar mirë përgjigjen, ish-deputeti dhe publicisti i vjetër iu përgjigj fare pa etikë: Po ti je i ri, ku di gjë ti… Në të vërtetë gazetari nuk ishte aq i ri dhe dinte shumë gjëra. Të dy rastet janë shfaqje e refleksit të kushtëzuar të mosbesimit te brezi i ri.
E sa shembuj të tillë mosbesimi ndaj të rinjve mund të ndeshësh me zë e me shkrim në mediat, portalet e forumet e diskursit publik. I ndesh shpesh në komentet e gazetave, me që i konsideroj si palestra, ku forcojnë muskujt qytetarët e sotëm e të nesërm. Efekti katarsis në këto kontekste banale realizohet nëpërmjet rrëzimit të “monumentit” të atij që flet nga podiumi ose katedra. Duke u nisur nga kjo frymë mitizimi të së vjetrës e mohimi të së resë, të rinjtë e sotëm duhet të thërrsin: O Zot, pse lindëm kaq vonë?!…

Lidershipi do vizionarë të rinj e të vjetër
Një midis të rinjve të mirëshkolluar e vizionarë u prezantua para 12 viteve dhe lideri i sotëm i PD-së, zoti Basha. Në krye të KOP-it para zgjedhjeve legjislative të qershorit 2005, ai i bindi shqiptarët, të djathtë e të majtë, se do të ishte një nga liderët e së ardhmes në Shqipëri. Të gjithëve na kujtohet qartësia, qetësia, elokuenca dhe eleganca e tij në debatet publike. Në personalitetin e tij rrezatohej qartë, jo vetëm inteligjenca dhe temperamenti i përmbajtur, por edhe qytetaria dhe kultura perëndimore, e fituar nga shkollimi në Europën Perëndimore. Personaliteti i tij bëri që mjaft të rinj shqiptarë të ëndërronin për t’u bërë politikanë. Kështu, ai paraqiti formatin dhe modelin e një politikani të ri, të pranueshëm si lider. Përvoja e fituar gjatë detyrave në organizma ndërkombëtarë, të ngarkuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, si këshilltar ligjor në Departamentin e Drejtësisë së Administratës së Kombeve të Bashkuara në UMNIK etj., dhe ajo gjatë 8 viteve të PD-së në pushtet, ishte kohë e mjaftuesme për të marrë drejtimin e një partie, por edhe për mirëqeverisjen e vendit në kushte e një demokracie liberale. Këtu mbase qëndron “dobësia” e Bashës, pasi ne shqiptarët jemi kultivuar për të pranuar liderë të ashpër, reminishencë e viteve të diktaturës.
Eshtë e dukshme asimetria e mjaft politikanëve të formuar në periudhën parademokratike, të cilët shtiren si të djathtë apo demokratë dhe sillen e veprojnë si të majtë e komunistë tipikë. Kjo ndodh se ata deshën të hidhnin në vena gjak të ri pa pastruar nga llumrat gjakun e vjetër. Prandaj ishte dhe mbetet e nevojshme dhe e domosdoshme nga ana e zotit Basha afrimi dhe përgatitja e një brezi të ri në politikë, që të krijojnë klimën dhe institucionet e mirëfillta demokratike, i cili do të jetë një lidership konkurues i së ardhmes. Gjëja më normale sot do të ishte se, ndodhi çfarë ndodhi, tani e tutje demokratët e rinj vizionarë dhe ata me përvojë të bashkohen rreth një vizioni të ri për shëndoshjen e situatës në PD, me besim e vendosmëri për fitoren në zgjedhjet e radhës, qofshin ato vendore apo legjislative.