Pa frikë ndaj Spanjës

Ivan Balliu, mbrojtësi i kombëtares shqiptare lindur në Katalonjë, gjatë një interviste për një radio spanjolle është thumbuar nga gazetarët që duke qenë se nuk ka debutuar me kombëtaren shqiptare, të dezertojë kuqezinjtë për skuadrën e Lopetegui.
Balliu: Jo, jo, tashmë jam këtu. E vërteta është që i jam mirënjohës Federatës dhe njerëzve në Shqipëri për si më kanë pritur dhe trajtuar. Ndjehem shumë mirë.
Biseda tejet miqësore ka shkuar më tej. Duke qenë se në kombëtaret e moshave të Spanjës ai ka luajtur përkrah yjeve aktualë të kësaj skuadre, Balliu është pyetur se si do të reagojë nëse në ndeshjen e Alicante përballet me ta.
Gazetari: Ti je mbrojtës i djathtë, nëse luan të takon të markosh Iscon.
Balliu: Po, nëse luaj po. Do të flas me të, do t’i them që të relaksohet paksa dhe që të shmanget nga ana tjetër.
25-vjeçari ka shprehur besimin se skuadra përfaqësuese e Shqipërisë do të japë maksimumin në këtë takim.
Balliu: Duhet të jemi realistë, të luash kundër Spanjës, një prej ekipeve më të mira në botë, e dimë që do të jetë shumë e vështirë. Por gjithçka mund të ndodhë, do të mbrohemi. Shpresojmë të shënojmë një gol dhe të mbrohemi mirë të gjithë të bashkuar.
Futbollistët dhe stafi i kombëtares shqiptare janë nisur drejt Spanjës, për të zhvilluar ndeshjen e tyre të parafundit në këto kualifikime. “U nisëm për Spanjë për ndeshjen tonë. Shqipëria”, ka shkruar qendërmbrojtësi Arlind Ajeti, ku në foto shihet me Berat Gjimshitin dhe Mërgim Mavrajn. Kombëtarja zhvilloi stërvitjen e fundit në tokën shqiptare, përpara nisjes drejt Spanjës. Lajmi i keq për dëmtimin e sulmuesit Sokol Cikalleshi u shoqërua me zhvillimet pozitive rreth gjendjes së portierit Etrit Berisha. Gardiani titullar e ka kaluar plotësisht gjendjen gripale dhe do të jetë i gatshëm për të luajtur më 6 tetor në Alikante. E njëjta vlen edhe për Elseid Hysajn, pasi edhe mbrojtësi i Napolit ishte prekur nga virozat e stinës.
Berisha iu bashkua pjesës tjetër të grupit në stërvitje, aty ku është rikthyer edhe portieri Enea Koliçi, që mori leje për një pasdite për të kryer procedurat për pajisjen me pasaportën e re. Përgatitjet e skuadrës kuqezi kanë vazhduar nën masat strikte të vendosura nga trajneri Panuçi, që në 15 minutat kur seanca zhvillohet me dyer të hapura për mediat, e mban skuadrën shumë larg kamerave. Masat e forta nuk vlejnë vetëm për mediat, por edhe për skuadrën. Drejtuesi i stolit ia ka bërë të qartë ekipit që pretendon përqendrim maksimal në stërvitje dhe për aq kohë sa lojtarët janë në fushë nuk lejohen shakatë dhe të qeshurat.
Aktualisht për sa i përket repartit të sulmit, trajneri italian ka në dispozicion vetëm Armando Sadikun, Azdren Llullakun dhe të riun Valon Ahmedi.
Arlind RAMA