Nis procesi për ekstradimin e baronit të drogës Alket Hatija në Itali

Gjykata e Durrësit pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi të zhvillojë gjykimin për ekstradimin e trafikantit të drogës, Alket Hatija drejt Italisë. Në seancën e parë, avokati i Hatijas kishte kërkuar që shqyrtimi gjyqësor të mos nisë, me pretendimin se Hatija ka vuajtur në Shqipëri dënimin për veprat penale, për të cilat kërkohet nga autoritetet italiane. Gjykata nuk e pranoi këtë kërkesë dhe vendosi që të zhvillohet procesi gjyqësor, në të cilin do të shqyrtohen faktet penale në ngarkim të Hatijas.
Por tani që Gjykata shqiptare ka vendosur të marrë në konsideratë kërkesën e italianëve për ekstradim, Alket Hatija është në arrati. Ai u arrestua verën e këtij viti nga Policia në Berat. Por kush është Alket Hatija, i dyshuar nga autoritetet italiane si një nga bosët më të mëdhenj të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë?
Sipas mediave italiane, hetimet e policisë italiane kanë vërtetuar se nga janari i vitit 2003 deri në mars të 2004, Alket Hatija kishte trafikuar në qytetin e Milanos rreth 350 kg heroinë e 190 kg kokainë me vlerë 35-40 milionë euro.
Në prill të këtij viti, Gjykata e Milanos kishte marrë ndaj tij vendimin përfundimtar, duke e dënuar me 20 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge. Sipas investigimeve, bashkëpunimi i Interpolit me Policinë shqiptare kishte mundur të identifikonte se Alket Hatija jetonte në një vilë luksoze me bunker në zonën e Beratit i rrethuar nga rojet personale të armatosura. Sipas mediave italiane, shqiptari Alket Hatija ishte një trafikant i madh droge që vetëm me anë të celularit ishte i aftë të trafikonte drejt Italisë qindra kg lëndë narkotike.
Droga hynte në Itali përmes kamionëve e automjeteve me targa europiane që kapërcenin kufirin në Veri të Italisë e portet italiane. Alket Hatija u arrestua në qytetin e Durrësit, ndërsa po takohej me një mikun e tij. Por më 12 shtator, Gjykata e Durrësit e la të lirë. Mësohet se gjykatësi Petraq Curi, ka rrëzuar kërkesën e prokurorit për të mbajtur në qeli, Hatijan deri në vendimin për ekstradimin në shtetin fqinj. Lënia në liri është dhënë me argumentin se i ndaluari ka vuajtur dënimin në Itali.