Nis përgatitja për Spanjën

Nga salla e konferencave në fushë, Christian Panuccit i duhet të bëjë maksimumin në dy ndeshje të rëndësishme me kombëtaren që nisi përgatitjet për sfidat me Spanjën dhe Italinë. Kanë mbëritur të gjithë në Tiranë, nuk ka vonesa në grumbullim edhe pse në seancën e parë stërvitore mungesat ishin të pranishme. Mungonte Thomas Strakosha që vuan një dëmtim në kofshë dhe nuk do të jetë për ndeshjet e radhës, ndërsa Elseid Hysaj ishte lënë pushim, mbrojtësi i Napolit ka pasur temperaturë dhe nga stafi mjekësor ka preferuar t’i japë kohë për ta kaluar si duhet pa rrezikuar. Për sa i përket pjesës tjetër, padyshim kuriozitet për të rikthyerit, me Taulant Xhakën, Ermir Lenjanin, Ergys Kaçen e Cikalleshin që bashkë me trajnerin e ri gjejnë edhe shokë të rinj në kombëtare. Seanca e parë ka patur më së shumti një karakter shkrythës me lojtarët që vijnë pas impenjimeve me klubet respektive. Natyrisht pa lënë mënjanë edhe taktikën, me Panuccin që do t’i shfrytëzojë në maksimum ditët në dispozicion para sfidës së parë me Spanjën. Nga e marta niset me dy seanca në ditë, me kombëtaren që paraditen e së enjtes i drejtohet tokës iberike.
Strakosha i dëmtuar do të zëvendësohet nga portieri i Kukësit. Një ftesë e shumëdëshiruar pa diskutim, e madje dhe e shumëpritur me ëndrrën e portierit të kampionëve të Shqipërisë që bëhet realitet atëherë kur nuk e priste. Një ndër gardianët më të spikatur të Kategorisë Superiore sezonin e kaluar 31-vjeçari nga Pogradeci me paraqitjet e tij kishte fituar vlerësimin e publikut duke u kuotuar për një thirrje në kombëtare. Thirrje që vjen pikërisht tani, para dy ndeshjeve tejet të rëndësishme, me Spanjën dhe Italinë, natyrisht për shkak të dëmtimit të Strakoshës, i cili vuan një problem muskular në kofshë me stafin mjekësor të kombëtares që ka vendosur t’i japë lejen për t’u kthyer në Romë ku do të kryejë edhe rehabilitimin nën kujdesin e klubit të tij, Lazios. Për Kolicin vjen momenti i duhur, menjëherë sapo ka marrë ftesën i është drejtuar hotelit për t’u bashkuar me shokët e skuadrës, atë të ambicies maksimale të çdo futbollisti, ekipit kombëtar.