Mattis, zgjidhje diplomatike me Korenë e Veriut

Pentagoni “mbështet plotësisht” përpjekjet e Departamentit të Shtetit për të gjetur një zgjidhje diplomatike me Korenë e Veriut, tha të martën Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis.
Zoti Mattis shtoi megjithatë se veprimet e Departamentit të Shtetit nuk janë domosdo në kundërshtim me komentet e Presidentit Donald Trump se bisedimet diplomatike me Phenianin do të ishin një humbje kohe.
“Ne thjesht po eksplorojmë, nuk po bisedojmë me ta dhe kjo përputhet me shqetësimin e presidentit për mos folur me ta para se të vijë koha e duhur”, tha zoti Mattis, përpara Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura. “Pra, unë nuk shoh ndonjë dallim aq të madh sa është interpretuar nga disa”.
Të shtunën, Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson pohoi se Shtetet e Bashkuara kanë kanale të drejtpërdrejta diplomatike përmes të cilave do të përpiqen të negociojnë me Phenianin lidhur me provat e vazhdueshme bërthamore dhe balistike të Koresë së Veriut.
Një ditë më vonë, Presidenti Trump duket se i doli kundër diplomatit të tij të lartë, duke thënë se zoti Tillerson “po humbet kohën kot” në përpjekje për të negociuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut.
Në një seri komentesh në Twitter, presidenti tha: “Kurseji energjitë Rex, ne do të bëjmë atë që duhet bërë!”
Të hënën, Shtëpia e Bardhë tha se është e interesuar të bisedojë me Korenë e Veriut vetëm nëse bëhet fjalë për lirimin e tre amerikanëve që mbahen nga Pheniani.
Zëdhënësja Sarah Huckabee Sanders afirmoi, ndërkohë mbështetjen e Presidentit Trump për Sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson dhe tha se bisedimet e vetme me Korenë e Veriut janë për të liruar amerikanët e ndaluar.
Deklarata vjen ndërsa Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson zbuloi se Shtetet e Bashkuara janë ende duke shfrytëzuar kanale të drejtpërdrejta komunikimi me autoritetet koreano-veriore dhe se zyrtarët amerikanë po kërkojnë një dialog.
Por deklaratat e zotit Tillerson u minimizuan nga Presidenti Trump. Ja përgjigja e Shtëpisë së Bardhë ndaj deklaratave të zotit Tillerson:
“Bisedat e vetme që janë zhvilluar apo do të zhvillohen do të kenë të bëjnë me kthimin e amerikanëve që po mbahen, si studenti i ndjerë Otto Warmbier. Këto janë bisedat që kjo administratë është e gatshme të zhvillojë. Përtej kësaj, nuk do të ketë biseda me Korenë e Veriut në këtë kohë”.
Megjithë deklaratat e zotit Trump, Shtëpia e Bardhë tha të hënën se presidenti ka ende besim tek Sekretari Tillerson.