Masakra në Butrint, kompania sallameve ndërton

Ndërtimi që po bëhet pranë një muri prehistorik, i cili daton në shekullin e 7-8 Para Lindjes së Krishtit në qytetin antik të Butrintit ka sjellë reagimin e fortë të arkeologut, profesorit dhe politikanit Neritan Ceka.
Në një intervistë, ai ka rrëfyer se i ka dërguar mesazh edhe kryeministrit Rama, por nuk e ka marrë ende një përgjigje. Ai zbulon se leja për të ndërtuar i është dhënë subjektit privat “Sallameri Hako”.

-Profesor Ceka, dua që t’ju pyes për punimet në Butrint, e keni parë se çfarë po ndodh?
Butrinti? Shih si është çështja, se unë i çova edhe një sms Edit se unë nuk kam ndërmend të sulmoj njeri…se këto sulme që i bëhen pozitës janë bumerange që i kthehen në monumente të atyre që quan kryeministri.
Kjo është një ide absurde, sepse në Butrint sipër ka pak hapësirë. Eshtë ideja e një kafeje që duan të bëjnë atje. Por atje ka pak hapësirë, dhe atje është muzeu dhe kështjella dhe nuk ka asnjë vend tjetër. Dhe ai vend që është, duhet t’i lihet në dispozicion gërmimeve arkeologjike dhe jo ndërtimeve të tilla. Atje ka një ndërtesë që ka shërbyer për rojtarin, për të vënë veglat e punës, dikur i thonim ne “shtëpia e Qerimit”…dhe për të fjetur arkeologët apo restauratorët që vijnë për të punuar…dmth, është një shtëpi shërbimesh të atyre që punojnë në Butrint. Kështu që, me kohë, që kur u krijua Parku Arkeologjik i Butrintit, ideja për të krijuar një lokal ka qenë e hedhur.
Unë kam qenë që e kam krijuar Parkun, në vitin 1971, kur do të bëhej Kuvendi i parë i studimeve Ilire, dhe me atë rast u bënë disa punime në Butrint dhe Apoloni që i kam drejtuar unë se punoja në Institutin e Monumenteve në atë kohë. Dhe u vendos që restoranti të bëhej jashtë mureve të Parkut, dhe që sot është restorant Livia…Nevojat që kanë turistët atje kompensohen me një automat…por nuk mund të krijohen shërbime të tilla, sepse atje nuk ka hapësirë dhe nuk sjell asgjë të re. S’mund të vijë një turist të vijë të shohë muzeun e pastaj të ulet atje të hajë. Për këtë punë duhet të dalë jashtë parkut, ose mund të ishte edhe brenda Parkut siç është në Apoloni, por kur hapësira është e mjaftueshme. Kështu që, kjo është një ide që nuk shkon, nuk mund të realizohet dhe është e dëmshme.

-Në fakt, ne po shohim betoniere që punojnë brenda Parkut, pra është ideja e betonizimit…
Po patjetër, po do vijë puna edhe ujërat që do krijohen, ku do të shkojnë, do ketë edhe banjo…janë shumë telashe të tjera. Rreziqet që vijnë nga një lokal i tillë janë të mëdha për një qendër arkeologjike…dhe zjarri dhe gjithçka tjetër…dhe nuk shërben. Kryesorja është që për një shërbim të tillë nuk ka nevojë, sepse aty ka një automat që edhe turistët që duan të pijnë ujë e kryejnë shërbimin.

-Po mënyra sesi po bëhet ky ndërtim, procedura si është dhënë? A ka të drejtë vetë Butrinti, apo Ministria e Kulturës për të lejuar diçka të tillë?
Ndryshimi më i vogël që ndodh në Butrint duhet të kalojë në dy organizma: Këshilli Kombëtar i Restaurimit që shikon ndryshimet që duhet të bëhen, nëse janë në përmasat që nuk dëmtojnë monumentet e tjerë, që nuk sfidojnë monumentet e tjera…këtë e vendos Këshilli Kombëtar i Restaurimit që duhet të ishte mbledhur dhe unë nuk e di nëse është mbledhur apo jo për rastin konkret, apo e bëjnë kështu ata: këtu jemi në shtëpinë tonë dhe bëjmë çfarë të duam!!!! Kam frikë se është rasti i dytë.
Dhe e dyta, është Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë: sepse do bëhet një gropë për banjo, apo për të hedhur mbeturina, apo në funksion të shërbimeve të tjera, do bëhet një hajat, apo do të bëhet një rrethim…çdo gjë duhet të provohet arkeologjikisht, sepse ajo është një zonë arkeologjike: do të bëhet përpara sondazhi arkeologjik dhe pastaj mund të fillojë ndërtimi. Kam idenë se as njëra as tjetra nuk janë bërë.

-Si mund të kthehet ky projekt, se aty vazhdojnë punimet? Ju ktheu përgjigje kryeministri, kur ju i shkruajtët shqetësimin tuaj për këtë ndërhyrje?
Në këtë rast duhet të ndërhyjë Prokuroria. Duhet të shkojë aty dhe të pyesë se ku janë lejet, sepse ata e quajnë sikur e kanë të tyren dhe mund të bëjnë çfarë të duan. Por nuk është ashtu. Ligji është shumë i rreptë në këtë drejtim.

-Informacioni që na vjen është se po e ndërton një subjekt privat…
Të njëjtin informacion kam dhe unë, ia kanë dhënë këtij HAKO-s (sallameria)…Nuk ka mundësi…si mund t’ia japësh. Hajde ti dhe bëj një ndërtim aty. Këta e kanë “topi bam e muço tutje”…duhet të ndërhyjë Prokuroria.

-Po si mund të reagohet veç Prokurorisë?
Po këtu puna është se edhe shtypi ka heshtur. Kjo Mirela (ministrja e Kulturës), nuk e kupton fare, është edhe megallomane, i ka të gjitha…në Butrint prapë me tender ka bërë një restaurim, që është një gafë e paimagjinueshme, sepse kur bie një mur rindërtohet në formën që ka qenë. Po të shohësh atje do e kuptosh se ky mur është bërë tani…restaurimi duhet bërë në një mënyrë që të mos njihet fare. Duhet të jetë besnik i variantit që ka qenë. Dhe ishte një mur me gur me pllaka të mëdha, ishte një mur shumë i bukur. U rrëzua për neglizhencë… Nuk mjaftoi kjo, por ia kanë dhënë një kompanie që e kanë bërë me çimento të bardhë dhe të shkosh ta shohësh atë është një katastrofë. Bile e lajmërova Edin dhe i thashë: ju s’keni të drejtë të silleni kështu me punën që ka bërë Ugolini, Hasan Ceka, Budina, Richard Holsi, Auron Tare, unë e të gjithë me radhë…Se nja 6 vjet kam qenë edhe unë përgjegjës për Parkun e Butrintit. Nuk kanë të drejtë. Por nuk pyesin fare. Ore nuk thonë: Ore Neritan, hajde këtu dhe më thuaj: dua të bëj diçka të tillë, ta bëjmë apo jo?
Dhe në Apoloni, shkuan bënë një investim prej 750 mijë eurosh…e kanë bërë rroma-për toma. Dmth, ai që shkon për të parë Apoloninë nuk sheh asnjë gjë të dobishme, përveçse kanë restauruar një Portik që kishte ceduar dyshemeja, e ngritën dyshemenë, e mbushën dhe kaq. Një punë që mund të bënte nja 30 mijë euro, dhe gjithë pjesa tjetër është hedhur dëm. Kanë bërë tuba për të shuar zjarret me demek…po ta kishin bërë në Butrint po, se në Butrint po ra zjarri do jetë një katastrofë e paimagjinueshme. Dhe në vend ta bëjnë në Butrint e kanë bërë në Apoloni dhe aty nuk bie zjarri se nuk ka ku bie. Atje vetëm bar ka, dhe bari korret sepse në Monumente është e palejueshme të lejosh barin të rritet. Këta kanë futur tuba, shtro beton andej, shto beton këtej e kanë bërë një depo të madhe betoni…750 mijë euro rrush e kumbulla. Dhe nuk del njeri të thotë: ore çu bënë këto para…Se edhe shtypi nuk merret me këtë punë, nuk e merr specialistin, qoftë Neritan Cekën, qoftë edhe Auron Taren, apo ku di unë t’i thotë edhe këtyre Colit e Lolit, që për çdo rast dilnin atëherë…ç’u bënë këta, ky Artan Shkreli apo Artan Lamja…Që të nxirrnin sytë në atë kohë…Nëse të kujtohet historia e Lezhës, që medemek do bëhej një kafe në Lezhë dhe bënë namin….Atje në Lezhë mund edhe të bëhej se s’ka asgjë…Mund të lejohej një kafe, sepse investitori tha: Bëj muzeun pa bej dhe kafen…Ky HAKO a HAKA-j i salçiçeve shkon e bën në Butrint…Eshtë faqa e zezë.

-Po kryeministri ktheu përgjigje?
Jo nuk ktheu. Po i the një gjë, tamam atë që i thua ti, atë nuk bën. Këto duhen frenuar. Kjo është një katastrofë. Shko në Finiq, dhe aty kanë investuar nja 300 mijë euro me tender. Kanë bërë një rrugë me çakull dhe anash me trungje pishe, nga ato trungjet që kushtojnë një dreq e gjysëm…atje nuk kalon njëri.
Po në gjithë botën këto kufizohen me material vendi. Dhe nuk mbushet me çakull. Kamiona me çakull dhe gjysma e trungjeve ka rënë poshtë. Investimi është bërë në mars të këtij viti dhe shko sot dhe gjysma ka rënë. Ka bërë disa streha ku të ulen turistët. Po nuk kanë hedhur një lek aty ku është gërmuar. Aty ku kemi gërmuar me italianët prej 15 vitesh që janë vënë disa mbështetëse për të mbajtur muret dhe në vend të restauronin muret kanë hedhur lekët kot. E çdo shohin turistët? Do shohin mjerimin e arkeologjisë, muret po bien po degradojnë…
Dhe çdo admirojë një turist në majë të Finiqit? Nja 7–8 nga strehët…Rruga është më shumë se një kilometër…Eshtë e paimagjinueshme….Kanë bërë një barakë kot aty poshtë ku ndalojnë makinat. Në vend që ta kishin bërë sipër…se ka një repart të prishur ushtarak…dhe ne kishim ndërmend ta restauronim atë repart se ai është aty…kanë bërë një barakë poshtë, me mijëra euro….se as nuk thonë që në Finiq u harxhuan kaq lekë…ose të bëjnë diskutime me specialistë. Ja dhe unë jam këtu…Merre Neritanin e pyete, e ke pa lekë…Kemi një projekt për Finiqin, apo ku di unë për Apoloninë …Unë kam lerë në Apoloni…Jam rritur aty. Mazallah se vinë e thonë: ore zoti Ceka, këtu të kemi, çfarë mendon për Apoloninë. Ka punuar aty Hasan Ceka nja 50 apo 60 vjet në Apoloni, dhe unë kam punuar 30 vjet, aty bëhen 100 vjet punë dhe s’na pyet njeri. Se ku kanë gjetur njërin nga Përmeti, merr gjithë tenderat dhe bën çfarë i do qejfi atje…

-Atëherë në fund ç’të themi?
Duhet të hyjë Prokuroria. Dhe të shohë ç’bëhet aty dhe të verifikojë të dy shkresat Këshilli Kombëtar i Restaurimit dhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë. Për këtë duhet të flasin të gjithë.