Manjani, dëshmitar në gjyqin për ish-drejtorin e Burgjeve

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani do të thirret si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto në Gjykatën për Krimet e Rënda. Ish-zyrtari i lartë i burgjeve po gjykohet për akuzën e “korrupsionit pasiv” në një nga procedurat e tenderimit për furnizimin me ushqimet të institucioneve në varësi të tij.
Përveç ish-ministrit, në seancën e së premtes, Gjykata ka pranuar kërkesën e avokatëve, për thirrjen si dëshmitar në proces të ish-zv/drejtorit të Burgjeve, Iliaz Labi, i pandehur në një proces tjetër tek Krimet, si edhe të ish-zv/drejtorit Bledar Skënderi.
Vetë i pandehuri Zoto ka lexuar një qëndrim para trupit gjykues, në thelb të të cilit ka qenë mohimi i akuzës së ngritur ndaj tij. “Jam i pafajshëm”, është shprehur ai.
Në seancën e radhës, e caktuar në 18 tetor, pritet të niset me pyetjen e dëshmitarit Labi, aktualisht në “arrest shtëpiak” për llogari të një gjykimi ku akuzohet për “korrupsion”.
Prokuroria për Krimet e Rënda pretendon se, Artur Zoto ka konsumuar elementë të veprës penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendore”, kryer në bashkëpunim. Ish-zyrtari ka mbajtur qëndrim mohues duke pretenduar se Prokuroria është bazuar në deklarimet e ish-vartësit të tij, Iliaz Labi, i cili e ka akuzuar për të shmangur përgjegjësinë penale nga vetja.