Lirohet anëtari i bandës së Lul Berishës që u pajis me armë nga Çako

Gjykata e Durrësit ka dhënë dje masën e sigurisë “burg” për Mariel Fierzën, të njohur si besnikun e Lul Berishës, ish-kreut të bandës së njohur kriminale dhe ka urdhëruar masën “detyrim paraqitjeje” për mikun e tij Genti Ndërjakun. Fierza dhe Ndërjaku janë të dy me precedentë penalë të mëparshëm. Ata u arrestuan të martën gjatë operacionit të koduar “Vjeshtë 2017” dhe në mjetin me të cilin udhëtonin iu gjetën dy armë zjarri. Marjel Fierza në dëshminë e tij para Gjykatës ka thënë se armën e kishte gjetur rastësisht dhe ishte nisur për ta dorëzuar në polici. “E gjeta tek disa depozita uji dhe do e dorëzoja në polici, por më kapi policia, kur isha nisur ta dorëzoja”, ka thënë ai.
I arrestuari tjetër, Genti Ndërjaku ishte i pajisur me një armë pistoletë me leje të drejtorit të Përgjitshshëm të Policisë, Haki Çako.
Marjel Fierza njihet për lidhjet me kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, ndërsa një raport i Ministrisë së Brendshme e cilëson atë si “ushtar” të këtij të fundit. “Po drekonim te lokali në “Vollga”. Kur po dilnim, gjeta në parkim pistoletën. E mora dhe u nisëm që ta dorëzoja në komisariatin e policisë. Por policia na ndaloi dhe gjatë kontrollit më gjeti këtë armën që unë e kisha gjetur dhe do shkoja ta dorëzoja. Dhe më arrestuan”, tha ai.
Prokurori tha se, në kohën e ndalimit, ai kishte tentuar të hidhte nga dritarja e makinës çantën, ku kishte futur pistoletën. Ndërsa Genti Ndrëjaku, e kishte me leje armën e dytë që u gjet në makinë, ndaj u la në detyrim paraqitje.
Një raport i Ministrisë së Brendshme, i publikuar në prill të vitit 2016 tregon se, një nga të arrestuarit në Durrës, 30-vjeçari Marjel Fierza është “ushtar” i Lul Berishës, njeriu që e drejtoi për 10 vjet me radhë “Bandën e Durrësit” mes vrasjesh, trafiqesh drogës dhe armëve.
Raporti fliste për bashkim të Berishës me Emiljano Shullazin. Në të jepeshin të dhëna se, aktiviteti i dy kapobandave ishte ai i gjobitjes së disa personave, biznesmenë të njohur në fushën e basteve sportive, tregtisë së kafesë dhe tregtisë së naftës.
Dokumenti sekret saktësonte se Lul Berisha e drejtonte bandën e tij nga burgu dhe i delegonte urdhërat tek njerëz të besuar si Julian Meçaj e Marjel Fierza, Mond Çekiçi, e Plarent Dervishaj, për të cilin në prill të 2015 Apeli i Krimeve të Rënda i ka pushuar të gjitha akuzat.