Lihen në burg 2 të ndaluarit, i treti arrest shtëpie

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda la të pandryshuara masat e sigurisë për tre të arrestuarit pas ngjarjes së Elbasanit, ku u godit me një mjet tjetër makina e nëndrejtorit të Policisë, Gjergji Oshafi. Pas vendimit të Apelit, Ledio Zabeli, drejtuesi i mjetit të bllokuar “Range Rover” dhe Valmir Dedja, roja i Tregut Ushqimor do të hetohen nën masat e sigurisë “arrest me burg”. Ndërsa për personin e tretë, Kelmend Xhaferri, që ishte pasagjer në mjetin “Range Rover”, u la në fuqi masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ndërkohë, mbrëmjen e të mërkurës, u arrestua në Cërrik me urdhër të Prokurorisë 31-vjeçari Enea Bekteshi, i cili akuzohet se është personi që drejtonte mjetin e blinduar “Audi” që goditi tre javë më parë mjetin e nëndrejtorit të Policisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte lëshuar një urdhër-arresti në fund të muajit të kaluar.
Përveç ngjarjes tek Tregu Ushqimor të Elbasanit, 31-vjeçari është i dyshuar edhe për ngjarje të tjera që kanë mbetur të pazbardhura në këtë qytet. Së bashku me Bekteshin, Policia arrestoi edhe kunatin e tij Aleks Pupuleku, i cili kishte strehuar në banesën e tij të kërkuarin. Pupuleku akuzohet për armëmbajtje pa leje, pasi në banesën e tij u gjet një bajonetë.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të kërkojë ditën e premte vendosjen e masës së sigurisë ndaj Bekteshit, i cili akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë”, “shkatërrim prone” dhe “prodhim dhe mbajtje narkotikësh”.